Kurti: Nuk pranojmë të rishkruajmë historinë

Në ceremoninë zyrtare të parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë, kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se në këtë ditë feste nuk i mbyllin sytë para padrejtësive që po kalojnë krerët e UÇK-së në Hagë. Shefi i ekzekutivit tha se besojnë në drejtësi, por nuk pranojnë që ta rishkruajnë historinë e vendit.

Në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se Kosova lindi si shtet nga rezistenca paqësore dhe lufta çlirimtare dhe ndërhyrja ndërkombëtare.

Duke nderuar të gjithë të rënët për liri, Kurti procesin gjyqësor në Hagë ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së e quajti jo transparent dhe të pashembullt në praktikat e drejtësisë ndërkombëtare.

“Por, liria e Kosovës nuk filloi atë ditë para 18 vitesh liria e Kosovës është ngjizur shumë më herët me përpjekjet e pareshtur ndër breza me qëndresë dhe me luftën e drejtë të UÇK-së e cila bashkë me bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviqit, i dha fund një regjimi shtypës dhe i hapi rrugë shtetësisë sonë. Sot, përkulemi para dëshmorëve të kombit dhe të rënëve për lirinë tonë. Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë, ata janë themelet e Republikës. Nderojmë invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK si dhe falënderojmë aleatët tanë ndërkombëtarë që qëndruan në anën e lirisë, në anën e drejtët ë histori. Në këtë ditë feste nuk i mbyllim sytë para padrejtësive disa nga drejtuesit e luftës tonë çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë në procese gjyqësore jo transparente dhe krerët të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë ta revidojmë dhe rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar çlirimtare dhe anti-kolonialiste, një luftë e drejtë e popullit të okupuar dhe të shtypur nën aparteitit dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshohet ”, tha ai.

Kreu i ekzekutivit kosovar gjatë fjalimit të tij në parakalimin e forcave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës potencoi investimet që janë bërë në ushtri. Ai tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është ushtri e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial.

“Kosova e vitit 2026 është një shtet më i fortë dhe më i sigurt se kurdo më parë gjatë këtyre 18 viteve të pavarësisë. Kjo fal angazhimit të secilit zyrtar institucional e qytetar patriot me vendime të duhura dhe me investimet konkrete. Në vitet e fundit shpenzimet për ushtrinë janë shumëfishuar numri i pjesëtarëve të FSK është dyfishuar me rekrutimin e gjeneratave të reja të kadetëve të ushtarëve mes tyre edhe numri i pjesëtarëve gra që tashmë është prioritet i shpallur shtetëror për FSK. Investimi për blerje dhe pajisjeve është mbi 450 milionë euro investime këto të drejtpërdrejta në armatim modern, mjete ushtarake, municion të mjaftueshëm dhe sisteme të komunikimit…FSK sot po zhvillohet si një ushtri profesionale dhe e ndërveprueshme me aleatët tanë, e gatshme për të mbrojtur sovranitetin tonë shtetëror integritetin tonë territorial dhe jetën e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se parada e sotme nuk është demonstrim force përballë dikujt, por dëshmi e modernizimit dhe pjekurisë së shtetit.

“Parada e sotme nuk është demonstrim force përballë ndokujt ajo është dëshmi e modernizimit dhe pjekurisë së shtetit tonë e aftësisë sonë për të mbrojtur vetën dhe për të kontribuar në paqen rajonale dhe botërore… Mesazhi jonë është i qartë Kosova është e lirë dhe do të jetë, Kosova është demokratike dhe do të jetë, Kosova është sovrane dhe do të jetë”, shprehet Kurti.

Parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë e panë nga afër përfaqësues të korit diplomatik, përfaqësues institucional vendor.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. /KosovaPress/

Read Previous

“Kosova e shpalli pavarësinë, ne e njohëm”, momenti kur Bush dha lajmin për pranimin e pavarësisë

Read Next

Detaje që ndoshta nuk i dini për Deklaratën e Pavarësisë