Kurti: Marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherit edhe kryetari i LVV-së, në mbledhjen e 44-të të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, ka folur për procesin e dialogut me Serbinë.

Kurti ka prezantuar katër qëndrime që sipas tij janë udhërrëfyes të drejtë për të ecur përpara, shkruan Telegrafi.

Të gjithë e dimë kërkesën për marrëveshjen përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme. Për neve marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndanë njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB. Marrëveshja është ligjërisht e obligueshme nga pikëpamja jonë atëherë kur ajo ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshje ndërkombëtare sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës së Vjenës për ligjin mbi Traktin”, shtoi Kurti.

Si qëndrim të tretë Kurti tha se dialogu dhe bisedimet nuk janë për statusin e Kosovës por për statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Po bëhen 23 vjet bisedime në mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, por këto nuk mund të vazhdojnë pafundësisht. dialogu dhe bisedimet nuk janë për statusin e Kosovës por për statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e që duhet të bazohen në barazi dhe reciprocitet e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjellët. Qëndrimi katërt është se Pavarësia që e kemi është kompromis, nuk e kemi shpallur vitin e kaluar por para 13 vjetëve. Në katër vitet e para pavarësia e kishte Peter Faith sipër si autoritet sovran, e tash e 13 vjet e ka Ahtisaarin brenda si kompromis që është dashur ta sjellë një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por që nuk ndodhu asnjëherë”, u shpreh Kurti, shkruan Telegrafi.

Kurti ka folur edhe për funksionimin e politikës së jashtme të Kosovës, ku ka thënë se vendi ynë është duke zhvilluar një diplomaci intensive dhe shumë më cilësore se në vitet e shkuara.

“Kurrë nuk ka pasur për vetëm tre muaj më shumë vizita të udhëheqësve ndërkombëtarë e kryediplomatëve nga jashtë, si dhe pritje jashtë vendit të Presidentes Osmani, Kryeparlamentarit Konjufca, Kryeministrit, Ministres së Jashtme Gërvalla dhe qeverisë së Kosovës në përgjithësi. Së fundmi unë u prita nga presidenti i Francës Macron, patëm në Kosovë mysafir ministrin e jashtëm të Italisë Di Maio, kryeparlamentari Konjufca ka vizituar kryetarin e Bundestagut Schauble, kemi qenë në takime në Vjenë e Bruksel, dhe jemi duke zhvilluar një partneritet edhe më të fortë me ShBA-të, ku së fundmi kemi biseduar me ta për një kontratë për blerjen e dronëve dhe armatimit të teknologjisë së fundit për ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Sa i përket marrëdhënieve me Shqipërinë, Kurti shtoi se ato janë speciale dhe do të zhvillohen si të tilla. “Ne kemi marrë vendimin si qeveri që për shtetasit e Shqipërisë të hiqet detyrimi për leje qëndrim të përkohshëm, në mënyrë që ata të punësohen pa problem në Kosovë”, tha Kurti. /Telegrafi/

Read Previous

Viti 2035 pa makina me djegie të brendshme në Evropë?

Read Next

3 pijet më të mira për një metabolizëm të shpejtë sipas ekspertëve