Kurti beson se Franca do ta mbështesë Kosovën në KiE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  gjatë ditës së djeshme ka pranuar një telefonatë nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

Siç njoftoi  presidenca franceze, “Macron rikujtoi mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë e Kosovës dhe integrimin evropian”.

“Ai nënvizoi përkushtimin e tij për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbështetje ndërmjetësimit evropian dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve Bruksel-Ohër”, thuhet në njoftim.

Aty po ashtu thuhet po ashtu se presidenti Macron përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Megjithatë, ai theksoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, Macron thuhet se shprehu keqardhje për dështimin e votimit për tërheqjen e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës. “Ai përsëriti nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja sa më shpejt, me pjesëmarrjen e popullatës serbe”, u tha në komunikatën e Presidencës së Francës.

Në lidhje me këtë telefonatë ka folur mbrëmë edhe vetë kryeministri Kurti.

Kurti tha se në bisedë me me presidentin e Francës Emmanuel Macron i ka kërkuar mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pa kushtëzime të mëtejme, që i bie që të japë votën e saj pa dërgimin e draft statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

Kryeministri informoi se Macron ka insistuar në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë me Serbinë.

“Në një telefonatë me Presidentin Macron, e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Francës për Kosovën dhe shpreha besimin tonë se Franca do të mbështesë Kosovën në Këshillin e Evropës, pa parakushte të mëtejshme, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votë historike. Gjithashtu insistova në respektimin dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë”, shkroi Kurti.

Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill mbështetën raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.

Votimit i parapriu një debat që zgjati më shumë se dy orë. Shumica e deputetëve që morën fjalën e mbështetën anëtarësimin e Kosovës. Megjithatë, deputetët nga Franca thanë se do të ishte mirë që Kosova të bëjë hapat e parë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para votimit final të ministrave në maj.

Autorja e raportit për Kosovën, Dora Bakoyannis, që është ish-ministre e Jashtme e Greqisë dhe motra e kryeministrit aktual grek, Kyriakos Mitsotakis, në fillim të debatit tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale, duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj.

Por, ka zëra në qarqet diplomatike që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.

Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. /Reporteri.net/

Read Previous

Goditi 42 herë me thikë ish të dashurën, 15 vjet burgim për kosovarin

Read Next

Këta janë 14 dekanët e ri të Universitetit të Prishtinës