Kupa e Botës për Klube, renditja e UEFA-s vendos kualifikueset

Javët e fundit, FIFA zyrtarizoi formulën e re të Kupës së Botës për Klube, e cila do të prezantohet duke filluar nga viti 2025. Duke filluar nga ai vit, turneu do të luhet çdo katër vjet dhe parashikon pjesëmarrjen e 32 klubeve nga e gjithë bota. 12 prej të cilave do të jenë pjesë e UEFA-s, pra Evropës.

Siç raporton gazeta angleze “The Times”, 12 klubet e UEFA-s do të përzgjidhen sipas dy kritereve.

Katër do të jenë fituesit e Champions League nga viti 2022 deri në vitin 2025. Ndërsa, tetë të tjerat do të vendosen nga renditja e UEFA-s.

Kushti i vetëm i njohur, për momentin, është tavani i dy klubeve për secilin vend, por fituesit e Champions League nuk hyjnë në numërimin e tetë të përzgjedhurve në bazë të renditjes. Pra, Spanja ka ende dy vende, pavarësisht pranisë së Real Madrid-it.

Asgjë nuk është ende e sigurt, siç thekson “The Times”, duke qenë se po zhvillohen diskutime mes FIFA-s, UEFA-s dhe Shoqatës Evropiane të Klubeve, për të diskutuar sistemin më të mirë të përzgjedhjes.

Megjithatë, kjo duket të jetë një nga mënyrat më të mundshme për të përcaktuar pjesëmarrësit në turneun që do të marrë formën e një Botërori, në nivel ekipesh klubesh.

Nëse në fund ajo e identifikuar nga “The Times” do të zyrtarizohej si kriter për pjesëmarrje, referuar renditjes aktuale, tetë skuadrat që do të hynin në Kupën e Botës për Klube 2025 do të ishin: Manchester City, Liverpool, Bayern Munich, Borussia Dortmund, PSG, Barcelona, Juventus dhe Ajax.

Padyshim që do të jetë e nevojshme të merren parasysh fituesit e Champions League, me Real Madrid-in që triumfoi në vitin 2022, të cilit do t’i shtohen edhe ato të tre edicioneve të ardhshme. Nëse fituesit do të ishin të pranishëm në këtë listë të renditjes, atëherë do të futeshin klubet që gjenden më poshtë në renditje.

FIFA ende nuk e ka shpallur vendin e turneut të ri i cili do të zhvillohet në qershor dhe korrik 2025. Një opsion do të ishte të luhej në Shtetet e Bashkuara si një lloj prove për Kupën e Botës 2026, e cila do të luhet gjithashtu në Meksikë dhe Kanada.

Duhet nënvizuar se Forumi i Ligave Botërore dhe Premier League janë ende kundër formulës së re të Kupës së Botës për Klube, me deklarata të ndryshme nga të interesuarit të cilët raportojnë se nuk ka pasur konsultime dhe diskutime me FIFA-n përpara shpalljes. /Albanianpost.com

Read Previous

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare: Shqiptarët nga të fundit në Evropë që flasin mbi një gjuhë

Read Next

Telefoni i parë i iPhone nga gjenerata e parë shitet për 63 mijë dollarë