Kupa e Botës 2026 pritet të jetë turneu më ndotës në historinë e futbollit

Kupa e Botës FIFA 2026 është në rrugën për t’u bërë turneu më ndotës i futbollit ndonjëherë, pasi ndikimi i tij mjedisor është dyfishuar me udhëtimet ajrore më të gjata dhe me emetimet më të larta të karbonit për tifozët, transmeton Anadolu.

Eventi shtrihet në mbarë Amerikën e Veriut dhe po mbahet në 16 qytete përgjatë katër zonave kohore dhe tre shteteve. Ky organizim po i dërgon si ekipet ashtu edhe tifozët në udhëtimet ajrore më të gjata dhe me emetimet më mëdha të karbonit të ndërmarra ndonjëherë për një turne të madh.

Udhëtimi ajror do të jetë mënyra më e rëndësishme e transportit gjatë Kupës së Botës, pasi është edhe metoda e udhëtimit me emetimin më të lartë të karbonit, duke prodhuar gazra serrë që ngrohin atmosferën dhe kontribuojnë në ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike.

Vendimi i FIFA-s për ta shtrirë Kupën e Botës në një kontinent të tërë dhe për ta zgjeruar atë nga 32 në 48 ekipe, çon potencialisht në mijëra kilometra udhëtim ajror për disa adhurues të futbollit, duke rezultuar në ton emetime të dioksidit të karbonit për tifoz.

– Nëntë milionë tonë emetime ekuivalente të dioksidit të karbonit

FIFA parashikon se mbi 5 milionë tifozë nga e gjithë bota do të marrin pjesë në turne. Nga një perspektivë mjedisore, kjo do të ketë një kosto dhe do të jetë shumë më e madhe se çdo turne i mëparshëm i Kupës së Botës.

Sipas një raporti nga Shkencëtarët për Përgjegjësi Globale (SGR), Kupa e Botës 2026 do të jetë turneu “më ndotës” i mbajtur ndonjëherë.

Raporti vlerëson se eventi do të shkaktojë të paktën 9 milionë tonë emetime ekuivalente të dioksidit të karbonit në Amerikën e Veriut. Kjo përfaqëson rritje prej 92 për qind krahasuar me mesataren prej 4.7 milionë tonë emetime ekuivalente të dioksidit të karbonit nga katër Kupat e Botës të mëparshme midis viteve 2010-2022.

Raporti thotë se emetimet totale të vlerësuara janë pothuajse dyfishi i mesatares për Kupën e Botës ndërsa transporti ajror arrin në 7.7 milionë tonë ekuivalent të CO2, më shumë se katër herë vëllimi i ngjarjeve të Kupës së Botës midis viteve 2010 dhe 2022.

Arsyet kryesore të cituara janë më shumë ndeshje dhe për këtë arsye më shumë spektatorë si dhe distancat e gjata midis qyteteve pritëse në të tre vendet.

– Anglia

Në përgjithësi, një tifoz që udhëton nga Londra dhe anasjelltas dhe nëse shikon të gjitha ndeshjet e Anglisë në rrugën drejt finales gjatë Kupës së Botës duhet të udhëtojë më shumë se gjysmën e perimetrit të Tokës, ose 20 mijë kilometra.

Tifozët e Anglisë do të udhëtojnë 2.830 kilometra shtesë midis qyteteve pritëse edhe ndërsa ndjekin ekipin e tyre në fazën e grupeve. Duke shtuar një fluturim nga Londra dhe kthim në Angli, numri i kilometrave të përshkuar rritet ndjeshëm.

Nëse Anglia përfundon në krye të grupit të saj dhe arrin në finale, tifozët do të duhet të udhëtojnë afërsisht 24 mijë kilometra. Kjo do të rezultojë në rreth 3.4 tonë emetime ekuivalente të dioksidit të karbonit për person. /Anadolu Agency/

Read Previous

Izraeli pushtoi më shumë toka nga fqinjët nga 2023-ta, sesa që okupoi për dekada

Read Next

Apple dhe Intel do të prodhojnë çipa në SHBA