Kryeziu: Kamerat në veri janë në shërbim të sigurisë publike

|Foto: KosovaPress|

Përparim Kryeziu, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës i është kundërpërgjigjur deklaratës së Listës Serbe për kamerat vëzhguese në hapësirat publike në veri të vendit, duke thënë se ato janë në çdo qytet dhe si të tilla janë në shërbim të sigurisë publike. Ai ka theksuar se këto kamera menaxhohen nga policia.

“Në komuna të ndryshme me shumicë serbe në Kosovë, përfshirë këtu komunat në veri, strukturat ilegale serbe dhe organizatat terroriste, ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada Veriore’ kanë përdorur vazhdimisht kamerat e vëzhgimit, të cilat kanë qenë të qasshme për shërbimet e sigurisë së Serbisë”, ka shkruar Kryeziu në X.

Tutje ai deklaratën e Listës Serbe e ka quajtur si reagim ndaj humbjes së mjeteve për presion e frikësim të qytetarëve.

“Në të kaluarën, ishin degët e Listës Serbe që kontrollonin këto kamera. Dhe kur kishin një kontroll të tillë, asnjëri prej tyre nuk dukej se kishte punuar më 19 janar 2018, kur u vra Oliver Ivanoviq në veri të Mitrovicës. Koha e banditëve dhe mashtruesve të kthyer në terroristë të ‘Brigadës së Veriut’ dhe ‘Mbrojtjes Civile’ ka ikur. Të gjithë duhet të mësohen me shtetin ligjor në një republikë demokratike”, ka shkruar Kryeziu.

Nëpërmjet një reagimi, Lista Serbe ka pretenduar se kamerat e sigurisë në hapësira publike shkelin të drejtat e privatësisë së qytetarëve serb. /RTK/

Read Previous

Mbahen homazhe për dëshmorët dhe martirët e fshatit Skivjan

Read Next

​Liverpooli lëshon pikë sërish, kësaj radhe kundër West Hamit