GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen e quajti retorikën e fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në lidhje me nevojën për Grenlandën “krejtësisht të papranueshme” dhe “të pa respekt”, transmeton Anadolu.
“Retorika aktuale dhe e përsëritur nga SHBA-ja është plotësisht e papranueshme. Kur presidenti i SHBA-së flet për ‘nevojën për Grenlandën’ dhe na lidh me Venezuelën dhe ndërhyrjen ushtarake, kjo nuk është thjesht e gabuar. Është mungesë respekti”, tha Nielsen në rrjetet sociale.
Duke thënë se ata janë pjesë e NATO-s dhe të vetëdijshëm për vendndodhjen e tyre strategjike, ai përsëriti rëndësinë e një “marrëdhënieje respektuese dhe besnike” me Washingtonin.
“Vendi ynë nuk është objekt në retorikën e fuqive të mëdha. Ne jemi një popull. Një vend. Një demokraci. Kjo duhet të respektohet, veçanërisht nga miqtë e ngushtë dhe besnikë”, tha Nielsen dhe shtoi: “Mjaft më. Mjaft më presion. Mjaft më insinuata. Mjaft më fantazi për aneksim”.
Ai theksoi se ata janë të hapur për dialog që do të bëhet përmes “kanaleve të duhura dhe në respekt të së drejtës ndërkombëtare”.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen i kërkoi SHBA-së në një deklaratë të “ndalojë kërcënimet” kundër një “aleati historikisht të ngushtë” dhe kundër një vendi tjetër dhe një populli tjetër “që e kanë bërë shumë të qartë se nuk janë në shitje”.
“Nuk ka absolutisht asnjë kuptim të flasim për nevojën që SHBA-ja të marrë Grenlandën. SHBA-ja nuk ka bazë ligjore për të aneksuar një nga tre vendet e Mbretërisë (Danimarka, Grenlanda dhe Ishujt Faroe)”, tha Frederiksen.
Franca në solidaritet me Danimarkën pas deklaratave të Trumpit për Grenlandën
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, Pascal Confavreux shprehu solidaritetin e vendit me Danimarkën pas deklaratave të fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, lidhur me nevojën për Grenlandën për arsye të sigurisë kombëtare, transmeton Anadolu.
Confavreux tha se “Franca është në solidaritet me Danimarkën” duke shtuar “Grenlanda u përket danezëve”, duke folur në kanalin televiziv TF1, sipas transmetuesit BFMTV.
“Nuk mund të ketë ndryshim kufijsh me forcë”, theksoi ai.
Trump deklaroi të dielën se “SHBA-ja ka nevojë për Grenlandën për arsye të sigurisë kombëtare”, duke përmendur atë që ai e përshkroi si rritje të pranisë ruse dhe kineze rreth ishullit me rëndësi strategjike.
Ai tha se kontrolli amerikan mbi territorin autonom danez të Grenlandës do t’u shërbente interesave më të gjera perëndimore. “BE-ja ka nevojë që ne ta kemi atë nga këndvështrimi i sigurisë”, potencoi Trump. /Anadolu Agency/