Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Viti 2025 ishte i suksesshëm për basketbollin kosovar, pavarësisht sfidave, rezultateve jo gjithmonë pozitive dhe problemeve të ndryshme që e kanë shoqëruar këtë sport gjatë 12 muajve, thotë kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, vlerëson vitin 2025 si një vit të suksesshëm për basketbollin kosovar, pavarësisht sfidave, rezultateve jo gjithmonë pozitive dhe problemeve të ndryshme që e kanë shoqëruar këtë sport gjatë vitit.
Në intervistë për KosovaPress, Fetahu flet për zhvillimin e gjerë të basketbollit në të gjitha nivelet, përfitimet nga projektet e FIBA-s, konkurrencën në Superligë, qasjen e klubeve ndaj rezultateve, përzgjedhësin e Kosovës dhe sfidat infrastrukturore që vazhdojnë të mbesin pengesë kryesore.
Sipas Fetahut, gjatë vitit 2025 basketbolli kosovar ka kaluar nëpër një sërë momentesh të rëndësishme, duke përfshirë organizime, vizita dhe kampionate ndërkombëtare, si dhe zhvillim të vazhdueshëm të garave vendore.
“Kemi pasur çaste të rëndësishme, vizita, organizime, kampionate ndërkombëtare, lojëra, ndeshje, zhvillim të basketbollit prej minibasketbollit, prej moshave, sivjet kemi punuar me moshat gjashtë e shtatë vjeçare, do të thotë prej çerdheve e deri tek veteranët, kështu që kemi pasur një vit të mirë që e kemi lënë mbrapa 2025-ën. Natyrisht edhe të gjitha sfidat e problemet edhe telashet edhe momentet e këqija, humbjet, rezultatet jo të mira me reprezentacionet e reja, me reprezentacionin A e të tjera, të gjitha këto e kanë përbërë këtë vorbullën e basketbollit të vitit 2025, por vërtet viti që po e lëmë pas mund të konsiderohet si i suksesshëm”, thotë fillimisht Fetahu.
Federata e Basketbollit e Kosovës është ndër përfituesit kryesorë të projekteve të FIBA Evropës dhe FIBA Botës.
Fetahu nënvizon se gjatë vitit 2025 janë fituar dhe janë duke u zbatuar të gjitha projektet e parapara për federatat kombëtare, përfshirë edhe programin FIBA Plus.
“Në realitet jemi një prej përfituesve më të mëdhenj prej të gjitha projekteve të FIBA-s. Të gjitha projektet e FIBA Evropës të cilat janë të parapara për federatat kombëtare, ne jemi përfitues të tyre, do të thotë i kemi fituar dhe jemi duke i zbatuar në vendin tonë. Gjithashtu edhe prej FIBA Botës, do të thotë prej programit të FIBA Plus jemi përfitues me dy projekte të ndryshme, kemi qenë gjatë vitit 2025, tash do të jemi edhe në vijim gjatë vitit 2026 në të dyja. Njëra ka të bëjë me zhvillimin e strategjisë tonë për vitin 2026 deri në vitin 2030, për çka ne veç kemi punuar me FIBA Botën edhe me FIBA Evropën bashkërisht edhe tjetra ka të bëjë me një projekt të veçantë për identifikimin e talenteve, ku neve FIBA Bota na ka na ka përkrahur financiarisht me fillimisht me sajimin e një programi të mirëfilltë për këtë punë dhe pastaj edhe me ekspertin i cili do të merret me këtë çështje”, thotë ai.
ProCredit Superliga, sipas Fetahut, ka qenë ndër kampionatet më interesante dhe më të balancuara. Ai thekson se niveli i konkurrencës, integriteti i garës dhe investimet e klubeve kanë ndikuar që rezultatet të jenë të paparashikueshme.
“Sa i përket ligës tonë, vërtet kemi pasur një ligë të mirë, kemi pasur një garë të jashtëzakonshme edhe për atë pjesën e parë të vitit edhe deri në përfundim të stinorit 24-25 edhe për këtë pjesën e dytë të vitit, do të thotë të stinorit vjeshtor 25-26, po e shohim do të thotë se kemi paparashikueshmëri të garës, kemi integritet të lartë të garës, që është jashtëzakonisht e rëndësishme, edhe e kemi punë dhe investime të mirëfillta të cilat janë bërë pa përjashtim do të thotë prej të gjitha klubeve, edhe vërtet nuk e di se në fund të këtij stinori, do të thotë në maj të këtij viti ku do të na gjejë, si do të jetë ajo pasqyra përfundimtare e Pro Credit Superligës sonë, por më gëzon fakti që kemi ekipe të cilat janë konsideruar autsajdera, të cilat tash janë në mesin e tabelës. Natyrisht nuk është i mirë fakti që disa prej klubeve tona kryesore për shumë e shumë vite me gjithë ato investime që i kanë bërë, tani janë nga fundi i tabelës, por kjo tregon që nuk është gjithçka deri tek investimet, financat, ka të bëjë shumëçka edhe fati edhe përzgjedhja të cilën e ke bërë, edhe puna e cila është bërë në ndërkohë do të thotë, jo gjithmonë një trajner i caktuar mund ta japë një rendiment të cilin ti e pret ose një lojtar i caktuar e jep rendimentin të cilin ti e pret e të tjera, kështu që kjo paparashikueshmëri e garës unë besoj që është aseti kryesor i i basketbollit tonë”, shprehet Fetahu.
Fetahu shpreh shqetësim për qasjen e disa klubeve që synojnë rezultate të menjëhershme përtej kapaciteteve reale që posedojnë. Ai vlerëson se mungesa e planifikimit strategjik dhe rrezikimi i stabilitetit financiar, menaxherial apo administrativ është kontraproduktiv
“Mendoj që secili prej klubeve dhe secili prej entiteteve të sportit të punojë në mënyrë strategjike drejt arritjes së një rezultati, por duke e mos e cenuar integritetin e vet, qoftë financiar, qoftë menaxherial, qoftë administrativ për momentin, edhe duke mos e lënë anash në asnjë moment faktin që duhet të punosh për zhvillimin e një diçkaje për në të ardhmen. Ne këtë punë do të thotë nuk e shohim. Është shumë fatkeqe kjo. Kjo kërkesa ose kërkimi i rezultateve me ngulm përtej limiteve ose kapaciteteve të cilat ti mund t’i kesh si entitet sportiv, unë mendoj që është kontraproduktive dhe e kemi parë me shumë e shumë raste që ka qenë kontraproduktive”, thotë Fetahu.
Sa i përket reprezentacionit të Kosovës, Fetahu shpreh besim të plotë te përzgjedhësi Bujar Loci, duke e cilësuar atë si një nga trajnerët më të mirë që ka pasur basketbolli kosovar.
“Unë nuk kam ndonjë dyshim që ai është në gjendje ta udhëheqë reprezentacionin. Përkundrazi, mendoj që Bujari përveç që është një prej trajnerëve më të mirë që e kemi pasur ne. E keni parasysh, Bujari ka qenë selektor edhe para 20 vitesh në kohën kur s’kemi qenë të njohur fare e ka udhëhequr reprezentacionin në kushte jashtëzakonisht të vështira në atë kohë…Unë jam i bindur që ai do ta japë maksimumin, jam i bindur gjithashtu që edhe lojtarët do ta japin maksimumin për të, sepse e gëzon një respekt të jashtëzakonshëm edhe prej lojtarëve. Edhe sa i përket jetëgjatësisë së tij brenda Federatës së Basketbollit të Kosovës, unë besoj që më shumë do të varet prej tij sesa prej nesh”, tha Fetahu.
Sfida më e madhe, sipas Fetahut, mbetet infrastruktura duke bërë thirrje për një shtytje më të madhe dhe investime urgjente, jo vetëm për basketbollin, por edhe për sporte të tjera. /KosovaPress/