Kraja: Asociacioni nuk bëhet për të drejtat e serbëve por për ta minuar Kosovën

Në një intervistë për KALLXO.com, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja ka folur për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përfshirjen e Kosovës në nismën e “Ballkanit të Hapur”, ‘përzierjen’ e Edi Ramës në punët e Kosovës, për ‘heshtjen’ e  Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në shoqëri e bashkëpunimin me krerët e institucioneve.

Sipas kryeakademikut kosovar, Asociacioni nuk po bëhet për t’u dhënë të drejta serbëve të Kosovës por bëhet “për ta minuar Kosovën, për ta shkatërruar integritetin e saj territorial”.

Sipas Krajës, ashtu siç është aktualisht, Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të formohet.

“S’bëhet Asociacioni, nuk ndërrohet Kushtetuta, nuk bëhet copë-copë shteti për shkak se dikush tjetër jashtë Kosovës e kërkon këtë”, thotë i pari i ASHAK-së.

“Nuk ka asnjë shans që të bëhet Asociacioni, një Asociacion i cili e defunksionalizon shtetin dhe prapë Serbia nuk do të jetë e kënaqur derisa të vijë koha kur do të kërkojë autonominë për ato komuna, kur të marrë autonominë do të kërkojë republikën e tyre dhe kur ta marrë republikën do të bëjë aneksimin e tyre. Këto janë shkallëzime të cilat shkojnë gradualisht deri atje ku Kosova realisht s’mund t’i pranoj”, vlerëson Mehmet Kraja.

Por, ka një mundësi që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet, sipas Krajës. 

“Nëse Serbia të njeh, t’i njeh kufijtë, sovranitetin dhe integritetin territorial. Asociacionin e bëjmë nesër, mund ta bëjmë menjëherë, sepse atëherë përzierjet e saj do të jenë të parëndësishme. Por, nëse nuk ta njeh integritetin territorial, nuk ta njeh sovranitetin, s’mund ta bësh Asociacionin, s’mund t’ia japësh komunat që t’i qeverisë nga Beogradi sepse e ke sovranitetin tënd”, ka thënë kryetari i ASHAK-së./Kallxo.com/

Read Previous

Dyshimet për helmimin e pjesëtarëve të FSK-së, Ministria tregon rezultatin e analizave

Read Next

Osmani dhe Konjufca në Drenicë: Masakra e Poklekut dhe Çikatovës, dëshmi e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve