KQZ: Rezultatet përfundimtare në pritje të procedurave të ankimimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së, i cili ka konfirmuar se ky institucion është njoftuar me vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili i ka refuzuar ankesat e dy kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës për deputetë Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu për rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së.
“Mund t’iu konfirmoj se KQZ është njoftuar me vendimet e PZAPI-it lidhur me 2 ankesat e paraqitura në këtë institucion. Ndaj këtyre vendimeve të PZAP-it, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën Supreme, andaj KQZ do të presë që vendimet të marrin formën e prerë. Pas plotëfuqishmërisë së vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në, për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, ka theksuar Elezi.