Qeveria e Maqedonisë së Veriut dorëhiqet sot, Xhaferi pritet të bëhet kryeministër

Këtë të enjte pritet të japë dorëheqje kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ndërsa dorëheqjen do ta paraqesë edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, i cili pritet të emërohet kryeministër i Qeverisë për 100 ditë, deri në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 8 maj të këtij viti.

Ndërsa Kuvendi pritet që të premten të zgjedhë kryeparlamentarin e ri, Jovan Mitreski, i cili aktualisht është kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), derisa të dielën deputetët maqedonas do të votojnë për qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut – për herë të parë nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Përveç LSDM-së dhe BDI-së, aktualisht në pushtet, në qeverisjen teknike duhet të jetë edhe opozita (VMRO-DPMNE), të cilës i takojnë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale dhe tre zëvendësministra me kompetenca të veçanta, që do të thotë se ministrat nuk do të mund të marrin asnjë vendim pa miratimin e tyre.

E paqartë mbetet pjesëmarrja e opozitës nacionaliste nën drejtimin e liderit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, në qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut sepse ai është shprehur kundër që ekzekutivi të udhëhiqet nga një shqiptar, duke paralajmëruar se nuk do t’i dërgojnë në legjislativin maqedonas ministrat e propozuar në qeverinë 100-ditëshe.

Ballkani pritet të ketë tre kryeministra shqiptarë, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut.

Nëse kjo gjë do të ndodhte pak më herët, atëherë do të ishin katër kryeministra shqiptarë, me Dritan Abazoviç-in në Mal të Zi, i cili ishte në krye të qeverisë malazeze. /Albanianpost.com

Read Previous

Gërvalla falënderon Monakon për mbështetjen ndaj Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Read Next

IKSHPK u bën apel prindërve që fëmijët ta marrin vaksinën e fruthit