Kosova shënon rritje të importit dhe eksportit, ASK publikon të dhënat zyrtare

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6.5 për qind në muajin shtator të këtij viti në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 401.1 milion euro, krahasuar me deficitin prej 376.5 milionë euro sa ishte në vitin 2021.

Eksporti mbulon importin me 16.1 për qind.

“Eksporti i mallrave në muajin shtator 2022 kishte vlerën 77.0 milionë Euro, ndërsa importi 478.1 milion Euro, që është një rritje prej 1.9% për eksport dhe 5.8% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021”-njofton ASK.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23.6 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 16.4 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 15.9 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.3 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.2 për qind e përbëjnë produktet minerale; 5.6 për qind e përbëjnë produktet bimore, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.5 për qind e përbëjnë produktet minerale; 12.2 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.0 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2 për qind e përbëjnë makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike; 6.6% e përb+ëjnë mjetet e transportit; 6.5% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.3% e përbëjnë produktet e industrisë kimike, etj.

Mbi 193 milionë euro importe nga BE-ja

Të dhënat e ASK-së për eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 28.9 milion euro, ose rreth 37.6 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 31.3 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania 12.7 për qind, Italia 5.8 për qind, Holanda 3.9 për qind, Sllovenia 3.3 për qind etj.

Në anën tjetër Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 193.6 milion euro, ose 40.5 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12.6 për qind.

Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania 10.1 për qind, Greqia 6.6 për qind, Italia 4.5 për qind, Sllovenia 3.1 për qind etj.

Për një muaj, mbi 85 milionë euro import nga vendet e CEFTA-s

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria partneret kryesore në eksportin e Kosovë drejt vendeve të CEFTA-s

“Në muajin shtator 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 28.1 milionë euro, ose 36.6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12.1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Maqedonia e Veriut (11.9%), Shqipëria (11.5%), Serbia (7.7%) dhe Mali i Zi (4.1%)”, thuhet në raport.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shtator 2022, arritën në 85.1 milion euro, ose 17.8 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 0.8 për qind.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 7.0 për qind, Maqedonia e Veriut 4.6 për qind, dhe Shqipëria 4.0 për qind.

Kosova shkëmbeu mallra edhe me vendet e tjera të botës

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 19.8 milionë euro, ose 25.8 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA 10.3 për qind, dhe Zvicra 8.6 për qind.

Ndërsa importet e Kosovës  me vendet e tjera të botës arritën në 199.3 milion euro, ose 41.7 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15.9%) dhe Kina (10.1%).

Këto të dhëna u bën të ditura ngaASK-ja me publikimin e të dhënave lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shtator 2022.

/GazetaSinjali/

Read Previous

​Kurti: Trendi i rritjes së të hyrave nga ATK po vazhdon vit pas viti

Read Next

Çmimet e derivateve për sot, kaq kushton nafta dhe benzina