Kosova përmbys bilancin e investimeve direkte me Shqipërinë

Investimet nga Kosova në Shqipëri kanë kaluar vlerën e investimeve shqiptare në Kosovë. Statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se në mesin e këtij viti investimet shqiptare në Kosovë kishin vlerën e 678 milionë eurove. Me këtë shifër, Shqipëria është investitori i tretë më i madh në Kosovë, pas Gjermanisë dhe Zvicrës.

Megjithatë, investimet nga Kosova në Shqipëri tashmë kanë arritur një vlerë më të lartë, prej afërsisht 773 milionë eurosh. Me këtë shifër, Shqipëria është me diferencë të konsiderueshme destinacioni kryesor i investimeve jashtë vendit nga subjektet e Kosovës.

Investimet shqiptare në Kosovë janë të përqendruara kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshmne, atë financiar dhe në industrinë nxjerrëse.

Në fakt, shifra e publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës është ndjeshëm më e lartë se ajo e publikuar në statistikat e investimeve ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë, që e vlerëson stokun e investimeve nga Kosova në vendin tonë në shifrën e 667 milionë eurove.

Megjithatë, pavarësisht kësaj mospërputhjeje në statistikat e publikuara nga dy bankat qendrore, tendenca e rritjes së investimeve nga Kosova në Shqipëri është e dukshme. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i investimeve nga Kosova është rritur me afërsisht tetë herë që nga viti 2020.

Ndërkohë, besohet se individët dhe subjektet nga Kosova kanë një peshë të konsiderueshme edhe në blerjen e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, sidomos në zonat bregdetare. Megjithatë, për këtë tregues nuk ekzistojnë statistika apo vlerësime të mirëfillta zyrtare. /Monitor

Read Previous

Ziv: Izraeli përfshin historinë e shqiptarëve në programet shkollore