Spanja drejt ndërrimit të pushtetit, pse Kosova s’ka arsye të presë ndryshim?
Spanja po i afrohet zgjedhjeve parlamentare të 29 nëntorit, me Partinë Popullore (PP), të udhëhequr nga Alberto Nunez Feijoo, në epërsi në sondazhe.
Nëse rezultatet përkthehen në shumicë parlamentare dhe Feijoo arrin të formojë qeverinë, Kosova mund të përballet me një tjetër mandat të politikës spanjolle të mosnjohjes së pavarësisë së saj.
Feijoo, lider i forcës kryesore opozitare në Spanjë, synon ta largojë nga pushteti kryeministrin aktual, Pedro Sanchez. Sondazhet e publikuara gjatë nëntorit e nxjerrin Partinë Popullore përpara socialistëve, ndërsa së bashku me partinë e ekstremit të djathtë, Vox, mund të sigurojë shumicën parlamentare.
Spanja është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, krahas Greqisë, Qipros, Rumanisë dhe Sllovakisë.
Gjatë udhëheqjes së Feijoos, Partia Popullore ka kundërshtuar disa hapa të qeverisë së Sanchezit në raport me Kosovën. Njëri prej tyre ishte edhe vendimi i qeverisë spanjolle për të njoftuar se kishte filluar t’i pranonte pasaportat e zakonshme të Kosovës, në kuadër të zbatimit të vendimit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, në janar të vitit 2024.
Ndonëse ky vendim nuk nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës, qeveria spanjolle kishte sqaruar se pranimi i pasaportave ishte pjesë e detyrimeve që rridhnin nga vendimi i BE-së dhe se qëndrimi i Madridit për mosnjohje mbetej i pandryshuar.
Megjithatë, Partia Popullore, e drejtuar nga Feijoo, i kërkoi ministrit të Jashtëm, Jose Manuel Albares, të raportonte në Parlament për këtë vendim. Në kërkesën e saj, PP-ja vuri në pikëpyetje arsyet e pranimit të dokumenteve të Kosovës dhe kërkoi të dinte nëse ky veprim përbënte një hap drejt njohjes së saj si shtet i pavarur.
Partia kërkoi gjithashtu sqarime nëse qeveria e Sanchezit ishte ndikuar apo kushtëzuar nga partnerët e saj politikë për ta ndryshuar qëndrimin e Spanjës, të mbajtur që nga viti 2008.
Gjatë një seance të Komisionit për Punë të Jashtme të Kongresit spanjoll, më 29 janar të 2024-ës, përfaqësuesi parlamentar i Partisë Popullore e vuri në pikëpyetje këtë vendim, duke kërkuar shpjegime se si ishte e mundur të pranoheshin dokumentet e një autoriteti që Spanja nuk e njeh si shtet.
Në atë debat, përfaqësuesi i PP-së e lidhi çështjen edhe me politikën tradicionale të Madridit për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar të dinte nëse qeveria po largohej nga qëndrimi i mëparshëm.
Edhe në tetor të këtij viti, Spanja e përsëriti zyrtarisht qëndrimin e saj për Kosovën.
Në deklaratën e delegacionit spanjoll në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), më 15 tetor, Madridi theksoi se nuk e njeh Kosovën si shtet dhe se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet rruga e vetme për zgjidhjen e kontestit.
Në të njëjtën deklaratë, Spanja kritikoi disa vendime të institucioneve të Kosovës, të cilat i cilësoi si të njëanshme, duke kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2023.
Kjo tregon se, pavarësisht ndryshimeve të mundshme politike në Madrid, politika zyrtare e Spanjës ndaj Kosovës ka mbetur e pandryshuar.
Megjithatë, një ndryshim i mundshëm i qeverisë në Spanjë do të kishte rëndësi për Kosovën, pasi Madridi mbetet një nga pengesat kryesore për konsolidimin e mëtejshëm ndërkombëtar të shtetësisë së saj.
Pedro Sanchez, kryeministri aktual, i cili po garon sërish për këtë pozitë, por që sondazhet nuk e nxjerrin të parin, është në pushtet në Spanjë që nga qershori i vitit 2018. /Albanianpost.com