Kosova ngre aktakuzë për krime lufte ndaj Milan Radoiçiç dhe 19 personave të tjerë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë, me propozim për mbajtjen e gjykimit në mungesë, kundër 20 të pandehurve për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, saktësisht për vrasjen e 107 civilëve. Në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq.

Sipas aktakuzës, të pandehurit janë M.K., R.C., M.D., P.R., S.K. ,L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B., V.B., R.B., R.R., L.R., M.Sh., M.R., S.G., T.A., akuzohen  për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 27 mars 2025 kishte lëshuar urdhërarrest ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të pandehurve tjerë për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Betimi për Drejtësi” kishte siguruar urdhërarrestin, me të cilin urdhërohej shoqërimi i menjëhershëm i të pandehurve: Milovan Kovaçevic, Radomir Çoliq, Milosh Doshan, Predrag Ristiq, Sërgjan Kërstiq, Ljubisha Obradoviq, Zhivko Sariq, Spaso Sariq, Lazar Drashkoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Çedomir Dozhoviq, Vladirmir Bozhoviq, Robert Dobrunaj, Radomir Rakoviq, Ljubisha Rakoviq, Milosh Shqepanoviq, Milan Radoiçiq, Svetislav Gligorijeviq dhe Tomica Avramoviq.

“Sipas aktakuzës, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R. Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme, (PJP) dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B.,V.B.,R.B.,R.R.,L.R., M.Sh.,M.R., S.G., T.A., në cilësinë e pjesëtarëve të njësive të lartëcekura, akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve, gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policior”, thuhet në njoftim i Prokurorisë.

Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat.

“Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi

Read Previous

24 orët e fundit në rajonin e Gjakovës: Dhunë në familje, konfiskim i armës dhe një automjet i dyshuar si i falsifikuar