Kosova ende në fazën e përgatitjes së padisë ndaj Serbisë për gjenocid

Kosova është ende në fazën e përgatitjes së padisë ndaj Serbisë për gjenocid. Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, thekson se institucionet relevante kosovare çdo ditë janë duke mbledhur materiale për dokumentimin e krimeve të luftës për të paditur Serbinë për gjenocid.

Sipas Qorrollit me themelimin e Institutit për Krime të Luftës do të bëhet grumbullimi i fakteve në sasi më të mëdha i cili do të shpie më pas drejt hartimit ligjor të një padie.

“Ju e dini që duke qenë se Kosova nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe nuk është anëtare e OKB-së, ka një vështirësi procedurale për ta bërë të njëjtën gjë. Por, ne kemi filluar përgatitjet dhe se ky do të jetë një synim afatmesëm i parapërgatitjes së padisë në GjND”, ka thënë ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Në tryezën e diskutimit lidhur me Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa kishte folur për themelimin e këtij instituti, kishte thënë se askush nuk duhet dhe nuk mund të pretendojë se përmes këtij instituti do të mund të zgjidhen problemet që janë shkaktuar qe 24 vjet.

“Do të jetë shumë e vështirë. Njerëzit janë të lodhur. Viktimat kanë humbur besimin në sistem. Gjeneratat po vdesin përditë e kështu po humb kujtesa parësore e luftës. Ky është një rrezik i madh që na kansoet. Duhet të sigurohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë të gjithë atë që ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë”.

Kurti mes tjerash kishte thënë se as 25 vjet pas luftës Kosova nuk ka një shifër që do të tregonte se cili është dëmi ekonomik që lufta i ka shkaktuar vendit.

“Situata është edhe më keq në raport me dëmin emocional e psikologjik që s’e kemi adresuar për tërë këto vite. Kjo është arsyeja pse kemi vendosur që ta fillojmë punën me një ekip i cili është marrë ekskluzivisht me përgatitjen e analizës, e cila do të ishte mënyra më e mirë për të proceduar me themelimin e institutit. Kjo na ka shërbyer shumë sepse instituti nuk është themeluar me vendim e pa strategji operacionale”. /Albanianpost.com

Read Previous

Ndodh në Itali, policia sekuestron 39 tonë ëmbëlsira para Krishtlindjeve

Read Next

Qyteti më i ftohtë në planet, dimri zgjat nga tetori deri në maj