Kosova e Shqipëri forcojnë partneritetin doganor për lehtësimin e tregtisë

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, realizoi një takim zyrtar me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës Shqiptare,  Besmir Beja, me synim thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe avancimin e agjendës së përbashkët në fushën doganore.

Sipas njoftimit nga Dogana e Kosovës, gjatë takimit u vlerësua progresi i arritur ndër vite dhe niveli i lartë i koordinimit institucional, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e procedurave, rritjen e efikasitetit operacional dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.

“Vëmendje e veçantë iu kushtua funksionimit të Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, si dhe zbatimit të sistemit One Stop Shop në pikën kufitare Morinë. Këto mekanizma u vlerësuan si modele të suksesshme bashkëpunimi që kanë reduktuar kohën e pritjes, kanë ulur kostot për bizneset dhe kanë lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe pasagjerëve”, thuhet në njoftim .

Drejtori Llugaliu theksoi rëndësinë strategjike të pranisë së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit, duke e cilësuar atë si një instrument kyç për fuqizimin e pozitës konkurruese të operatorëve ekonomikë të Kosovës dhe për rritjen e qasjes në tregjet rajonale dhe më gjerë.

“Në kuadër të diskutimeve u trajtuan edhe prioritetet e përbashkëta për thellimin e digjitalizimit, avancimin e shkëmbimit elektronik të të dhënave dhe forcimin e bashkëpunimit në hetime të përbashkëta, me qëllim rritjen e transparencës, sigurisë dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme”, thuhet në njoftim.

Në përmbyllje, thuhet se palët theksuan vullnetin për konsolidimin e mëtejshëm të partneritetit institucional dhe për ndërmarrjen e hapave të rinj që mbështesin lehtësimin e tregtisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës dhe Shqipërisë. /RTKlive

Read Previous

Slot: Ende ekziston mundësia të bëjmë diçka të veçantë këtë sezon

Read Next

“Komunikatat e UÇK-së nuk kanë qenë nxitëse të krimeve”