Kosova dhe Luksemburgu intensifikojnë bashkëpunimin

Kosova dhe Luksemburgu kanë intensifikuar marrëdhëniet përmes marrëveshjes së bashkëpunimit për zhvillim, në vlerë prej 35 milionë euro.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Ekonomisë i Luksemburgut, Franz Fayot, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për zhvillim dhe memorandumin e mirëkuptimit për zbatimin e marrëveshjes.

Me këtë rast, Bislimi tha se me marrëveshjen dypalëshe, Kosova dhe Luksemburgu po e vendosin kornizën e përbashkët për sa i përket bashkëpunimit për zhvillim mbase përgjatë gjithë dekadës, edhe pse memorandumi përcakton fondet vetëm për periudhën 2023-2025.

“Fushat e intervenimit që do të përkrahen nga Luksemburgu i kemi përcaktuar pas diskutimeve intensive mes ekipeve tona dhe ekipit të ministrit. Ato përfshijnë këto prioritete që i ka Qeveria e Kosovës: arsimi, sidomos arsimi profesional, shëndetësia, rritja ekonomike e qëndrueshme, zhvillim i mëtejmë i shoqërisë civile dhe fusha e inovacionit. Shuma aktuale indikative që parashihet me këtë marrëveshje si përkrahje nga shteti i Luksemburgut për Qeverinë e Kosovës për këto tri vite është 35 milionë euro apo afërsisht 12 milionë euro për secilin vit, që përbën rritje të konsiderueshme në raport me programin e mëparshëm që kishte një shumë vjetore prej 7.5 milionë euro”, tha ai.

Bislimi ka thënë se synim afatgjatë i Kosovës është që të thellohet partneriteti mes Luksemburgut dhe të fokusohet në bashkëpunim më të ngushtë ekonomik dhe zhvillimor.

Ai ka thënë që e kanë diskutuar mundësinë që në disa prej aktiviteteve ekonomike në Luksemburg ku ky shtet ka mungesë të kapaciteteve humane, të përshtaten me një lloj angazhimi nga distanca me talentët që ka Kosova.

Read Previous

Kriza energjetike kërcënon Kosovën edhe këtë dimër

Read Next

41°C parashihet të arrijë temperatura në Gjakovë