Studimi: Konsumimi i tepërt i kafesë lidhet me dobësimin e kockave te gratë pas menopauzës

Studiuesit nga Universiteti Flinders kanë zbuluar se konsumimi i lartë i kafesë, mund të lidhet me një densitet më të ulët mineral të kockave te gratë e moshuara pas menopauzës.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Nutrients”, analizoi të dhënat e 9 704 grave të moshës 65 vjeç e lart për një periudhë prej rreth 10 vitesh.

Studiuesit vlerësuan vazhdimisht konsumin e kafesë dhe çajit, ndërsa matën densitetin mineral të kockave në qafën e femurit dhe në ijë, zona veçanërisht të prekura nga frakturat e lidhura me osteoporozën.

Çfarë zbuluan shkencëtarët?

Rezultatet treguan se konsumimi i më shumë se pesë filxhanëve kafe në ditë, mund të lidhet me densitet më të ulët mineral të kockave.

Ndërkohë, konsumimi i çajit u shoqërua me një densitet pak më të lartë të kockave në zonën e ijeve.

Një gjetje e rëndësishme është se konsumimi i moderuar i kafesë, rreth dy deri në tre filxhanë në ditë, nuk u shoqërua me efekte negative të rëndësishme për shëndetin e kockave.

Pse mund të ndikojë kafeja?

Studiuesit sugjerojnë se kafeina mund të ndikojë në metabolizmin e kalciumit dhe në proceset që lidhen me shëndetin e kockave.

Megjithatë, efektet nuk duket se janë të njëjta për të gjithë.

Studimi zbuloi se lidhja negative midis konsumit të kafesë dhe densitetit të kockave ishte më e dukshme te gratë, që konsumonin më shumë alkool.

Nga ana tjetër, çaji përmban përbërës bioaktivë, përfshirë katekinat, të cilat mund të ndihmojnë në formimin e kockave dhe të ngadalësojnë proceset e shpërbërjes së tyre.

Ky studim nuk vërteton se kafeja shkakton dobësimin e kockave.

Bëhet fjalë për një studim vëzhgues, që identifikon lidhjet mes zakoneve të konsumit dhe densitetit mineral të kockave, por nuk mund të përcaktojë shkak-pasojën.

Për më tepër, efekti negativ u vu re kryesisht te konsumi shumë i lartë – mbi pesë filxhanë në ditë – ndërsa nuk u gjet një lidhje e rëndësishme negative për konsumimin e moderuar.

Studimi tregoi se konsumimi i tepërt mund të mos jetë ideal për shëndetin e kockave, veçanërisht te gratë e moshuara pas menopauzës. /ATSH/

Read Previous

Inteligjenca Artificiale do ta kurojë kancerin gjatë jetës së brezit tonë, pretendon shefi i gjigantit britanik të çipave