Konsultimet për datën e zgjedhjeve, Osmani i fton në takim liderët e partive politike

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka paralajmëruar takim me liderët e partive politike në Kosovë, pasi bëri të ditur dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Ajo gjatë konferencës për media tha se sot do t’i ftojë përfaqësuesit e partive politike për datën e zgjedhjeve.

“Menjëherë sot do të ftohen liderët e partive për datën e zgjedhjeve sepse është obligim që të konsultohemi paraprakisht dhe është pasojë e nevojshme menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve”, tha Osmani në konferencën për media.

Takimi do të zhvillohet në ora 13:00.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka konfirmuar se do të marrë pjesë në këto konsultime, ndërsa kryeministri dhe kreu i VV-së, Albin Kurti nuk ka konfirmuar nëse do të jetë pjesë e takimit.

Osmani në një konferencë për media,  tha se vendin në këtë situatë e sollën “njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”.

“Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme. Alternativa pra, zvarritjet do të krijonin situata shumë më të rrezikshme. Paqartësi kushtetuese, një proces i zvarritu pafund, siç e kemi parë në tërësi edhe vitin e kaluar dhe një shtet që tenton ta relativizojë edhe vet Kushtetutën e tij.

Shteti mbahet në këmbë nga një parim i vetëm: Ligji e Kushtetuta mbi të gjithë. Sot po përmbush një detyrim të qartë kushtetues dhe po ua rikthej fjalën atyre që në demokraci e kanë fjalën e fundit, qytetarit të Republikës”, tha Osmani.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit.

/Reporteri.net/

Read Previous

Kurti: Kosova sot ka ushtrinë, që është amanet i Adem Jasharit

Read Next

LeBron James thyen një tjetër rekord historik në NBA