Konjufca takohet me presidenten e Bundestagut, pranon mbështetje të mëtejme diplomatike

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka takuar sot presidenten e Bundestagut gjerman, Barbel Bas.

Me të, Konjufca thotë se diskutoi për partneritetin e ngushtë Kosovë-Gjermani, ndërsa ka pranuar edhe konfirmim të mbështetjes së mëtejme diplomatike,

”Kisha nderin dhe kënaqësinë e veçantë që sot të mikpritesha në takim nga Presidentja e Bundestagut Gjerman, znj. Bärbel Bas.

Në frymën e raporteve të ngushta mes vendeve tona aleate dhe mike, diskutuam për çështje të rëndësishme, me orientim në kahjen që partneritetin tonë të ngushtë e të palëkundur nëpër vite ta thellojmë edhe më tej në drejtim të zhvillimit të interesave dhe synimeve tona të përbashkëta.

E falënderova homologen time, znj. Bas për mikëpritjen dhe për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë gjithnjë Republikës së Kosovës që nga themelimi i saj, por edhe më herët se kaq. Në veçanti, shpreha mirënjohjen time dhe të vendit tonë për qëndrimet e qarta të Gjermanisë, sa i përket sulmit terrorist në Banjskë.

E njoftova presidenten e Bundestagut se Kosova ka arritur suksese të rëndësishme sa i përket treguesve të demokracisë në vend. Megjithatë, shpreha nevojën e shtetit tonë për shkëmbimin e mëtejshëm të përvojave parlamentare dhe ekstraparlamentare sa i përket rritjes së kapaciteteve demokratike. Nga zj. Bas mora konfirmimin se mbështetja diplomatike, partneriteti dhe bashkëpunimi i gjithanshëm mes nesh do të vazhdojë edhe më tutje”.

/klankosova/

Read Previous

Ushtarët amerikanë dhe kosovarë trajnohen së bashku për operacione në materiale të rrezikshme

Read Next

51 vjetori i themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë