Kongresistët amerikan letër Blinkenit: Të drejtat e shqiptarëve në Serbi të trajtohen reciprokisht me ato të minoritetit serb në Kosovë

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook ka bërë të ditur se bashkëkryesuesit e Grupit për Çështje Shqiptare në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kongresistët Jim Himes dhe Ritchie Torres, i kanë dërguar letër zyrtare Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken përmes së cilës kanë kërkuar që të drejtat e shqiptarëve në jugun e Serbisë, respektivisht në Luginën e Preshevës, të trajtohen në mënyrë reciproke me ato të minoritetit serb në Kosovë.

“Pak para takimit të Ohrit në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, z. Blinken, pranon mesazh të fuqishëm nga Kongresi Amerikan për çështjen e Luginës së Preshevës”, ka shkruar fillimisht Kamberi.

“Dialogu është dizajnuar për ta sjellur një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë njohjen reciproke,” shruhet në letrën e kongresistëve.

Sipas tyre dështimi për të siguruar të drejta të barabarta dhe të qëndrueshme për shqiptarët në Luginë, mund t’i vëj në pikëpyetje të gjitha aspektet e marrëveshjes.

“Plani i tanishëm 11-pikësh Propozimi Evropian nuk përmend askund të drejtat e minoritetit shqiptar dhe ne insistojmë që kjo çështje të përfshihet në marrëveshjen finale”, kanë shkruar ndër të tjera kongresistët.

“Përderisa po insistohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, ne kërkojmë dhe avokojmë tek ju për trajtim reciprok të minoritetit shqiptar në jug të Serbisë, apo për një asociacion të ngjashëm për ta”, theksohet në letër. /Albanianpost.com

Letra e kongresistëve amerikan drejtuar Sekretarit të Shtetit Antony Blinken

Read Previous

Surroi: Negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ohër kanë të bëjnë me gjetjen e një rruge për t’i dhënë fund konfliktit

Read Next

Gjykata e Hagës lëshon urdhër-arrest për Putinin, Biden: Ai qartazi ka kryer krime lufte