Konflikti Iran-Izrael, Blinken: Shmangni përshkallëzimin e konfliktit

Ndërsa qeveria izraelite është duke shqyrtuar ende mundësinë për t’ju përgjigjur sulmit me 300 dronë të Iranit, Shtetet e Bashkuara vijojnë t’ju bëjnë thirrje aleatëve izraelitë për vetëpërmbajtje.

Vetë presidenti Biden ia bëri të qartë një ditë më parë kryeministrit izraelit Benjamn Netanyahu se Shtetet e Bashkuara nuk do jenë pjesë e hakmarrjes së tyre, në rast se vendosin të kundërsulmojnë Iranin.

“Ne nuk duam përshkallëzim, por do të vazhdojmë të mbështesin mbrojtjen e Izraelit dhe do të vazhdojmë të mbrojmë personelin tonë në rajon”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken në nisje të një takimi me zëvendës kryeministrin e Irakut Mohammed Ali Tamim.

Thirrjeve për të shmangur përshkallëzimin e situatës iu bashkua edhe presidenti francez Emmanuel Macron, si dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

Megjithatë vetë Izraeli i ka qëndruar deklaratave se do t’i përgjigjet sulmit që Irani e kreu kundër tij me dronë dhe raketa në fundjavë.

Deklarata u bë nga shefi i ushtrisë izraelite, Herzi Halevi, ndnëse nuk tregoi formën me të cilën do ti përgjigjen. Halevi tha se Izraeli është duke shqyrtuar hapat që do t’i ndërmarrë.

Sulmi i së shtunës ishte sulmi i parë i drejtpërdrejtë që Irani e kreu kundër Izraelit, pavarësisht armiqësisë së moçme mes këtyre dy vendeve prej Revolucionit Islamik në Iran më 1979.

Ky sulm ndodhi pasi javë më parë një sulm i dyshuar izraelit i vrau dy gjeneralë iranianë në ndërtesën e konsullatës iraniane në Siri.

Ushtria izraelite thotë se 99 për qind të dronëve dhe raketave të shkrepura nga Irani i shkatërroi me ndihmën e vendeve të tjera, përfshirë të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Francës. /abcnews.al

Read Previous

Rey Manaj zgjidhet në formacionin e javës në Turqi

Read Next

Konjufca për ngjarjet e fundit në Kosovë: Po bëhen nga ata që kanë pasur vepra penale e drejtësia me lehtësi po i liron