GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur sot në Barcelonë grumbullimin dhe përgatitjet për dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, ndaj Andorrës dhe Anglisë.
Në seancën e parë stërvitore mori pjesë pjesa më e madhe e lojtarëve të thirrur nga trajneri Sylvinho, ndërsa sonte pritet të bashkohen me ekipin edhe Thomas Strakosha, Nedim Bajrami dhe Mirlind Daku, duke plotësuar grupin kuqezi.
Sipas njoftimit nga Federata Shqiptare e Futbollit, skuadra zhvilloi fillimisht ushtrime në palestër për rikuperim dhe forcë, ndërsa më pas kaloi në fushë për seanca taktike e ushtrime me topin.
Kapiteni Berat Gjimshiti dhe Arbër Hoxha u stërvitën vetëm në palestër, pasi kishin luajtur ndeshje me klubet e tyre një ditë më parë dhe po ndiqnin një program rikuperimi të lehtë.
Kuqezinjtë do të vijojnë përgatitjet në Barcelonë edhe gjatë ditëve në vijim, përpara se të udhëtojnë drejt Andorrës, ku më 13 nëntor do të zhvillohet sfida e parë e këtij grumbullimi.
Pas ndeshjes ndaj Andorrës, Shqipëria do të përballet me Anglinë në një test shumë më të vështirë, që mund të jetë vendimtar për objektivin e kualifikimit në “Botërorin 2026”. /Albanianpost.com