Qeveria në Shqipëri pritet të ashpërsojë qëndrimin për personat e dhunshëm në familje dhe ata që kryejnë krime ndaj të miturve.
Përballë shifrave shqetësuese të dhunës ndaj grave, një projektligj i dorëzuar në parlament nga Ministria e Drejtësisë kërkon votat e deputetëve, për t’i hequr të drejtën e zbritjes së dënimit autorëve dhunues.
Konkretisht në ndryshimet e propozuara, kushdo që do të akuzohet për dhunë në familje, nuk ka të drejtë të kërkojë gjykim të shkurtuar e për rrjedhojë nuk fiton një të tretën e uljes së dënimit.
Gjithashtu, kushdo që vret një fëmijë dënohet me burg të përjetshëm
Ky ndryshim në kodin e procedurës penale sugjerohet mbas këshillimit kombëtar në të cilin qytetarët kanë kërkuar ashpërsim të ligjit penal. Pas kësaj akterët e drejtësisë si Prokuroria e Përgjithshme, KLP, KLGJ, Ministria e Brendshme ranë dakord për heqjen e institutit të gjykimit të shkurtuar për krimet e mësipërme, me argumentin se kjo masë ligjore shërben për parandalimin e kriminalitetit ndaj grave dhe fëmijëve dhe jep një drejtësi efektive, raporton Top Channel.
Dan Hutra ishte rasti tipik i një burri që pasi kishte vrarë bashkëshorten e parë, ai dhunoi edhe të dytën dhe shfrytëzoi të drejtën e gjykimit të shkurtuar dhe kur doli nga burgu, ai vrau sërish.
Nëse ky ligj votohet në Parlament, mesazhi i qeverisë është, kushdo që ngre dorë ndaj një gruaje apo vret një fëmijë, nuk ka tolerancë dhe falje./Sinjali/