Knaus: Gjermania, Franca dhe Italia po planifikojnë të vënë veton Kosovës në Këshillin e Evropës

Drejtori i Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Gerald Knaus, ndërsa ka komentuar deklaratat e fundit të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, i cili tha se shpreson që Kosova “të jetë një ditë anëtare e Bashkimit Evropian” dhe se për këtë gjë Gjermania është “duke bërë gjithçka”, ka potencuar se testi për këtë gjë do të mbahet javën e ardhshme duke aluduar për votimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas Knaus, Gjermania, Franca dhe Italia po planifikojnë të vënë veton Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Tani për tani, Gjermania, Franca dhe Italia, po planifikojnë të vënë veton ndaj rekomandimit të 82 për qind të deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropian, i cili pasoi shqyrtimin më meritokratik nga tre komisione dhe eskpertë”, ka shkruar Knaus në platformën sociale, X.

Gjermania dhe Franca kanë kërkuar që Kosova të bëjë një hap substancial në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Kushtetuese për shqyrtim –  kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës e ka quajtur “absurde” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës që draft-statuti i Asocaicionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para anëtarësimit në KiE.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat s’i ka pranuar dhe që nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, ka thënë Kurti./Albanianpost.com

Read Previous

​Presidenti Italian: BE është në fazën më kritike

Read Next

Kopshti zoologjik i Kinës akuzohet për mashtrim me panda