KKSH do të udhëhiqët nga Enkel Rexhepi- anëtarët e sapozgjedhur erdhën te Kurti për ta formalizuar ujdinë

Mbrëmë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti anëtarët e sapozgjedhur të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), me rastin e formalizimit të marrëveshjes për drejtimin e përbashkët të këtij institucioni.

Në njoftimin e Qeverisë theksohet se Marrëveshja për drejtimin e përbashkët të KKSH-së, “e cila bashkon 24 nga 29 anëtarët e zgjedhur, përcakton që Këshilli Kombëtar Shqiptar në mandatin e ardhshëm të drejtohet nga Enkel Rexhepi”.

“Marrëveshja mbështetet në parimet e gjithëpërfshirjes, respektimit të fituesit, peshës që qytetarët përmes votës ia kanë dhënë secilës listë dhe ndarjes së përgjegjësive institucionale. Kryeministri Kurti dhe anëtarët e sapozgjedhur theksuan se në Këshillin Kombëtar Shqiptar, si institucion i përbashkët për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, nuk duhet të ketë ndarje në pozitë dhe opozitë, por bashkëpunim dhe bashkëpërgjegjësi institucionale. Në këtë frymë, mirëpritën që marrëveshjes t’i bashkohen edhe pesë anëtarët e Lëvizjes së Progresit Demokratik, duke mundësuar përfshirjen e të gjithë 29 anëtarëve në drejtimin e përbashkët të këtij institucioni”, thuhet në njoftim.

“Pas marrëveshjes së 29 shtatorit në Prishtinë, e cila mundësoi pjesëmarrjen e përbashkët të subjekteve politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, formalizimi i marrëveshjes së re përbën një hap të mëtejmë në konsolidimin e bashkëpunimit politik dhe institucional të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti theksoi se rruga e bashkëpunimit, “e dëshmuar në zgjedhjet parlamentare dhe tash edhe në Këshillin Kombëtar Shqiptar, duhet të vazhdojë e të shtrihet edhe në institucionet e tjera përfaqësuese, duke respektuar vullnetin demokratik të qytetarëve”, theksohet në njoftim.

Read Previous

CNN: Si e ndërtoi Koreja e Veriut ushtrinë më të mirë të hakerëve në botë

Read Next

Kosova nënkampione në Counter-Strike 2 në MEG26, fiton medaljen e argjendtë mes 18 shteteve