Këshilli Prokurorial i Kosovës kërkon mbi 32 milionë euro për vitin 2027

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar me shtatë vota kërkesën buxhetore për vitin 2027 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2028-2029.

Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi, prezantoi kërkesën buxhetore, duke theksuar se ajo përfshin nevoja të shumta të sistemit prokurorial.

“Për strukturat administrative. Shtesat për funksionin shtesë, shpenzimet e kujdestarisë për prokurorë dhe staf të cilat janë imediate, shtesat tranzitore, shtesat për kushtet e tregut të punës, shtesat për performancën, shtesat për punën me orar të papërcaktuar dhe shtesat jashtë orarit. Si dhe janë të përfshira pagat për 185 pozita të kërkuara për këtë vit. Mjetet e nevojshme në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve janë të kërkuara si në vijim për të mbuluar shpenzimet për ekspertiza gjyqësore dhe shpenzimet për avokatë dhe ndërmjetësues, shpenzimet për mirëmbajtjen e objekteve përfshirë këtu objektin C të Pallatit të Drejtësisë që ka qenë në përgjegjësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme që nga viti 2025 dhe kjo përgjegjësi tashmë është bartur tek Këshilli Prokurorial i Kosovës”, ka theksuar Vuniqi.

Ai shtoi se fondet e kërkuara për investime kapitale synojnë kryesisht ndërtimin e objekteve të reja prokuroriale dhe avancimin e teknologjisë.

“Mjetet e nevojshme për investimet kapitale, mjetet shtesë të kërkuara për kategori janë mjetet për të mbuluar kryesisht projektet kapitale: ndërtimi i objektit për Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe Prokurorinë e Apelit, ndërtimi i objektit të Prokurorisë Themelore në Prizren, ndërtimi i objektit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, si dhe avancimi dhe funksionimi i pajisjeve harduerike dhe softuerike për tërë sistemin prokurorial të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sipas Vuniqit, buxheti i miratuar për vitin 2027 parasheh 969 pozita pune dhe kap vlerën prej 21,141,298 euro.

“Buxheti i aprovuar dhe numri i stafit në të gjitha kategoritë ekonomike për vitin 2027 është si në vijim: 969 pozita. Pagat dhe shtesat janë 14,598,523 euro, mallrat dhe shërbimet janë 3,694,759 euro, shpenzimet komunale janë 299,116 euro, shpenzimet tjera kapitale janë 2,534,501 euro, subvencionet dhe transferet janë 14,400 euro. Pra gjithsej buxheti i aprovuar për vitin 2027 është 21,141,298 euro”, ka theksuar ai.

Vuniqi bëri të ditur se kërkesa buxhetore synon gjithashtu zgjerimin e kapaciteteve njerëzore në sistemin prokurorial.

“Ndërsa ai i planifikuari është ky si në vijim: numri i stafit nga 969 të bëhet në 1,150. Pagat dhe shtesat për të mbuluar janë gjithsej 17,766,133 euro, mallrat dhe shërbimet 4,809,560 euro, shpenzimet komunale gjithsej 299,116 euro, shpenzimet kapitale pas ndryshimeve dhe kërkesave për ndërtimin e objekteve të reja janë 9,395,000 euro dhe subvencionet e tjera mbeten të pandryshuara 14,400 euro”, ka thënë ai.

Ai theksoi se rritja e planifikuar e stafit është 181 pozita, ose 18.68 për qind më shumë krahasuar me numrin aktual.

“Pra, rrjedhimisht, numri i stafit të planifikuar është 181 pra që të ketë rritje këtij stafi prej 18.68%. Pagat dhe shtesat të shtohen 3,167,610 euro, 21.70%, mallrat dhe shërbimet 1,114,800 euro, shpenzimet komunale të mos ndryshojnë dhe shpenzimet kapitale të shtohen 6,860,500 euro. Rrjedhimisht, raporti për buxhetin e aprovuar dhe të parashikuar të planifikuar për vitin 2027 të ketë ngritje me kërkesën buxhetore prej 11,142,911 euro nga ai që është i planifikuar deri më tani”, ka deklaruar Vuniqi.

Në mbledhje foli edhe kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, i cili ngriti shqetësimin për kushtet e punës në Pallatin e Drejtësisë, duke theksuar mungesën e sistemeve të klimatizimit në disa hapësira pune.

“Andaj, po duke u dukur ato që ceket dhe infrastruktura, sot kemi kolegë tanë që punojnë në Pallatin e Drejtësisë, sot në këtë ditë të nxehtë, ata kanë temperatura mbi 30 gradë në zonat e tyre të punës, ku asgjë nuk punon, për sa kohë mund të korrigjojmë kushtet e saj. Është e varfër puna, kështu që, kjo është e vështirë, është esenciale pra, edhe vitin e ardhshëm. E të tjera, pikërisht mungesë të asaj që ceket më parë, kushtet elementare për punë. Kështu që, sot ta kesh një klimë në zyrën tënde për punë është nevojë elementare dhe jo luks”, ka theksuar Gashi.

Ai shtoi se përmirësimi i kushteve të punës lidhet drejtpërdrejt me planifikimin buxhetor dhe cilësinë e shërbimeve që ofrohen për qytetarët. /RTKlive

Read Previous

Rama: Protesta ka humbur kauzën, po dëmton turizmin e imazhin e Shqipërisë

Read Next

Si teknologjia e huazuar nga kriketi shpëtoi golin gati rekord të Suedisë në Kupën e Botës 2026