KB “Vëllaznimi” rikthehet në Superligën e basketbollit kosovar

Skuadra e “Vëllaznimit” ka arritur që edhe në ndeshjen e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, kundër skuadrës “Prishtina e Re” të shënojë fitoren e dytë në ndeshjen finale, duke arritur që sezonin 2021/2022 ta mbyllë pa asnjë humbje, rezultate këto që ia kanë mundësuar gjakovarëve rikthimin në Superligën e basketbollit kosovar.

Sa i përket duelit të sotëm, ekipi i drejtuar nga Shkumbin Kumnova ka treguar fuqinë në çerekun e fundit për të bërë dallimin, pasi që Prishtina e Re është treguar e afërt për të barazuar serinë në 1-1, gjatë në 30-minutave të ndeshjes.

Michael Green ka shënuar 33 pikë për gjakovarët në fitore, ndërsa ka kontribuuar edhe me 7 kërcime. Bardhi Rexha ka luajtur me double-double prej 12 pikëve dhe 15 kërcimeve, ndërsa Ujkan Karanezi ka shënuar 11 pikë. 

Dion Haxhosaj në anën tjetër, nuk ka qenë i mjaftueshëm për vazhdim të serisë finale. Ai kreu ndeshjen me 24 pikë, 20 kërcime, ndërsa Arti Islamaj dha 13 pikë.

Nga sezoni i radhës, Vëllaznimi do të jetë pjesë e Superligës, ndërsa fati i Prishtinës së Re do të kuptohet pas ndeshjes së barazhit ndaj, me shumë gjasa, Rahovecit.

Read Previous

Ditët e hëna pushim po konsiderohen problem për shumë qytetarë

Read Next

Kuvendi me debat parlamentar mbi sigurinë në vend