KB ”Vëllaznimi” ka shënuar fitoren e dytë sezonale

Forma e mirë që kishte kapur ekipi i Ponte Prizrenit me tri fitore radhazi përfundoi sonte. Bardhezinjtë u mposhtën në shtëpinë e tyre nga Vëllaznimi i Gjakovës, që ka arritur t’i befasojë ata në përballjen e zhvilluar në Sezai Surroi dhe atë me rezultat impresiv, 71-88 [26-23, 17-32, 13-14, 15-19].

Pos çerekut të parë, që Prizreni e mbylli me epërsi 3 pikëshe, të gjitha çerekët tjerë i kanë takuar Vëllaznimit, ndërsa në të dytin e bënë dallimin e madh, që ishte i pakapshëm për ekipin e Arbnor Rifatit.

Në anën tjetër Vëllaznimi me trajnerin që u tregua aktiv sonte, Josip Plantak, shkëlqeu, kurse Anthony Adger me 24 pikë qe më efikasi në ekip. Adger shutoi 5/12 për tri pikë.

Por, dy lojtarët e gjatë të ekipit, William Brown dhe Damonte Dodd kryen lojën me double-double për të dominuar nën-kosh ekipin prizrenas. Brown luajti me 17 pikë e 14 kërcime, ndërsa Dodd me 11 pikë e 14 kërcime.

Te Prizreni nuk kanë mjaftuar as 32 pikët e Dachon Burkes për fitore. Amerikani që luajti pa-pushim në ndeshje, 40-minuta, bëri edhe 8 kërcime, por pamjaftueshëm për të ngjallë ekipin sonte.

Lojtari tjetër i vetëm që shënoi pikë dyshifrore te Prizreni sonte ka qenë Wayne Arnold, që dha 18 pikë.

Kjo ka qenë fitorja e parë e Vëllaznimit këtë stinor si mysafir dhe e dyta në përgjithësi, ndërsa Prizreni që kishte nisur jo mirë stinorin dhe rreshtoi tre fitore, tashmë ka bilanc 3-3.

/TopSporti/

Read Previous

Kosovën e “vërshojnë” punëtorët nga Shqipëria, Bangladeshi e Indonezia

Read Next

Aksidenti me fatalitet te “Kroni i Mbretit”, policia jep detaje