KB “Vëllaznimi” e ka mposhtur KB “Trepçën” në një atmosferë të jashtëzakonshme në Gjakovë

FOTO – KB “VËLLAZNIMI” & QIELLI CREATIVE

Në një atmosferë të jashtëzakonshme në Gjakovë, Vëllaznimi ka mundur Trepçën me rezultatin 75 – 72, në kuadër të xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Takimi ishte jashtëzakonisht interesant dhe dramatik deri në fund, ku hero ishte Burim Zekiqi, ndërsa pikët vendimtare i realizoi Anthony Adger.

Shtatë minutat e parë të ndeshjes ishin të barabartë, por më pas mysafirët shkëputen në 13:21, që ishte epërsia më e lartë deri në ato momente, ndërsa çereku i parë përfundon me shifrat 15:21.

Kuqezinjtë u rikthyen shpejtë në çerekun e dytë, ku arritën të barazojnë rezultatin dhe kështu pjesa e parë e kësaj ndeshjeje përfundoi me rezultat të barabartë, 37 – 37.

Periudha e tretë ishte shumë interesante, ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra, por pa arritur të shkëputen dhe rezultati pas 30 minutash ishte 52:54.

Me një seri prej 0:9, ‘Xehetarët’ u shkëputën në 52:63, por vendasit nuk dorëzohen dhe sërish ngushtuan shifrat në 66:68, dy minuta para fundit, e më pas kalojnë në epërsi 72:69, me tri treshe fantastike nga i jashtëzakonshmi Burim Zekiqi, i cili shënoi nga rreth tetë metra, duke u bërë hero për vendasit.

Dramë u zhvillua deri në fund, ku Kendrick Brown barazoi shifrat në 72:72, ndërsa në frymën e fundit shënoi treshe Anthony Adger për rezultatin përfundimtar 75:72 dhe festa pushoi “Shani Nushin” në Gjakovë.

Burim Zekiqi ishte më i miri te Vëllaznimi me 19 pikë, duke shkëlqyer sidomos nga treshet, por u ndihmua edhe nga Damonte Dodd me 15 pikë e 15 kërcime, ndërsa te Trepça më të mirët ishin Drilon Hajrizi me 17 pikë dhe Erjon Kastrati me 14 pikë.

Vëllaznimi ka tri fitore e katër humbje, kurse Trepça katër fitore e tri humbje.

Read Previous

15 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

Read Next

E rëndë në Itali, shqiptari vret gruan në banesë dhe arratiset në Shqipëri