Ish-zëvendesepresidente e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, ka pranuar se është ende e shqetësuar që nuk i kërkoi Joe Biden të tërhiqej nga gara presidenciale për Shtëpinë e Bardhë.
Në një intervistë për BBC, Harris tha “Mendoj ende nëse duhej të kisha biseduar me të, duke e këshilluar të mos kandidonte për rizgjedhje.”
Pas muajsh të tërë spekulimesh mbi shëndetin dhe mprehtësinë mendore të presidentit Biden, ai u tërhoq nga gara në korrik 2024, pas një performance të dobët në debatet televizive me Donald Trump.
Harris: Ndoshta duhet të kisha folur
Në librin e saj të ri, “107 Days”, ku rrëfen periudhën tre mujore të fushatës si kandidate demokrate, Harris zbulon se nuk e kishte ndarë asnjëherë hapur shqetësimin e saj me Biden-in.
Ajo shkruan se vendimi i tij për të kandiduar sërish “nuk duhej të lihej në dorën e egos apo ambicies personale” dhe se ndoshta duhej ta kishte ngritur këtë çështje me të.
Në intervistën për BBC-në, Harris shtoi se e mundon fakti që mund të ketë vepruar gabim duke heshtur.
“Nuk e di nëse ishte hir apo pakujdesi që nuk fola. Mendoj shpesh se duhej ta kisha bërë. Nuk dyshoja në aftësinë e tij si president, por në qëndrueshmërinë për fushatë”, tha ajo.
Harris theksoi se shqetësimi i saj nuk kishte të bënte me aftësinë e Biden-it për të drejtuar vendin, por me lodhjen dhe presionin ekstrem që sjell një fushatë e gjatë zgjedhore – veçanërisht kundër Donald Trump.
“Kisha shqetësim për nivelin e energjisë dhe qëndrueshmërisë që kërkon një fushatë e tillë. Është diçka ndryshe nga të qenët president”, tha ajo.
Frika nga perceptimi i interesit personal
E pyetur pse nuk e ngriti çështjen drejtpërdrejt me Biden-in, Harris pranoi se kishte frikë se do të akuzohej për ambicie personale nëse do të vinte në dyshim kandidaturën e shefit të saj.
“Pyetja ishte nëse do të ishte një bisedë e dobishme, apo nëse do të interpretohej si veprim në interesin tim personal”, u shpreh ajo.
Çështja nëse njerëzit pranë presidentit duhej ta kishin sfiduar më fort për të mos kandiduar, është kthyer në një debat të nxehtë politik në SHBA.
Në librin Original Sin, gazetarët Jake Tapper dhe Alex Thompson pretendojnë se bashkëpunëtorët më të afërt të Biden-it fshehën nga publiku përkeqësimin fizik të presidentit.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë mohuar këto akuza, duke pranuar vetëm “ndryshime fizike të moshës”, por jo probleme që preknin aftësinë e tij mendore apo ekzekutive.
Në intervistën e parë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, në maj të këtij viti, Biden i tha BBC-së se nuk do të kishte bërë diferencë nëse do të ishte tërhequr më herët nga gara.
Një e ardhme politike ende e hapur
Kamala Harris ndodhet aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar për promovimin e librit të saj. Në të njëjtën intervistë, ajo la të hapur mundësinë e një rikandidimi të ardhshëm për presidencë.
“Është e mundur” tha Harris, duke shtuar se ende nuk ka “përfunduar me shërbimin publik”.
Ajo ka përjashtuar ndërkohë mundësinë për të kandiduar për guvernatore të Kalifornisë, shtetit të saj të origjinës. /tvklan.al