Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike është mbledhur këtë të mërkurë për prezantimi në parim i projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Deputetët e Partisë Demokratike fillimisht u ndalën te rasti i “arrestit në shtëpi” të ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, ndërsa thanë se këto akte tregojnë se shteti ka rënë.
“Ka rënë shteti sot, o bosa. E dini apo jo? “, tha deputeti Saimir Korreshi.
Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ftoi deputetët e Partisë Demokratike t’i përmbahen rendit të ditës, ndërsa nxjerrjen e masave dhe hetimet e kryera nga SPAK i cilësoi veprime normale të institucioneve në një shtet demokratik.
“Unë mendoj se ne duhet të ecim me rendin e ditës, sepse nuk besoj se ka projektligj më të rëndësishëm sesa projektligji që kemi në rend të ditës dhe nuk duhet kurrsesi që ne të ulim rëndësinë e kësaj mbledhjeje dhe këtij komisioni me veprimtarinë normale të institucioneve normale në një shtet demokratik. Qëndroni brenda rendit të ditës”, tha ai.
Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrative Territoriale nga Partia Demokratike, Luçiano Boçi, tha se nuk janë kryer të gjitha dëgjesat me qytetarët dhe ndërprerja e punës së këtij komisioni është bërë në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste.
“Si Komision i Ligjeve jo çdo gjë që u vjen, duhet ta merrni sy mbyllur, por në përputhje me ligjin. Propozimi ka një kusht thelbësor dhe themelor: Ndarja territoriale shoqërohet me mendimin paraprak të popullsisë, nuk mundet mendim të jetë pas. Ky komision, në rolin e tij serioz, duhet të mos e kishte pranuar, që të kishte thënë se duhet të vijë i plotë, të plotësohet të gjitha raportet e këshillave bashkiakë, të dëgjesave publike të bëra më parapara dhe të sillet këtu. Propozim im është që ky projektligj të merret mbrapsht dhe t’i nënshtrohet një procedure kushtetuese se nuk mund të ecim këtu ne kundër Kushtetutës dhe duke e shkelur atë dhe një procedurë parlamentare të rregullt, sepse nuk mund të vazhdohet kështu. Të mbarojnë dëgjesat, të merret mendimi, jo thjesht mendim formal dhe pastaj të ndërtohet. Kjo reformë nuk mund të bëhet në formë unilaterale, kjo reformë kërkon konsensus politik dhe konsensus qytetar dhe nëse nuk realizohen këto kushte, deputetët kanë të drejtë ta refuzojnë atë.”, tha ai.
Bashkimi i bashkive, PD kërkon referendum
Deputeti i PD-së, Tomor Alizoti, tha se harta që ka propozuar Partia Socialiste është hartë elektorale dhe nuk i shërben interesit qytetar.
Në lidhje me bashkimin e bashkive, Alizoti tha se kjo duhet të ishte vendosur me referendum lokal ku qytetarët të shprehnin qëndrimin e tyre.
“Ju do ta merrni këtë vendim, kjo është një hartë elektorale. Por të paktën që një vend, që pretendon të jetë pjesë e një bashkësie ku individi gëzon të drejtat më të mëdha, që është BE, duheshin pyetur qytetarët. Bëj një referendum dhe pyeti: a ishin dakord zonat që të bashkoheshin apo jo dhe referendumi e mbyllte këtë çështje, e mbyllte këtë diskutim”, tha ai.