Johnson: Eurovision 2023 duhet të mbahet në Ukrainë

“I duhet dhënë një shans Ukrainës për të organizuar Eurovision Song Contest 2023”.

Është ky mendimi që ka kryeministri britanik, Boris Johnson, pasi organizatorët e festivalit më të madh muzikor evropian vendosën t’i hiqnin Kievit mundësinë për të mbajtur në Ukrainë javën e Eurovision 2023, pavarësisht fitores së Kalush Orchestra në Torino 2022.

Sipas Boris Johnsonit gjithsesi, ka një lloj sigurie tek autoritetet ukrainase se ngjarja e madhe kulturore mund të zhvillohet aty vitin tjetër, në kushte shumë të sigurta.

Në vend të Kievit, diskutime ka mbi Londrën si qytet organizator, duke marrë parasysh edhe faktin se këngëtari britanik Sam Ryder, u rendit i dyti në Torino me baladën e tij “Spaceman”.

Megjithatë, Johnson nuk e vlerëson si të duhur këtë gjë, pasi fitues nuk ishin britanikët.

“Ukrainasit e fituan me ndershmëri dhe drejtësi spektaklin, pavarësisht faktit se ne kishim një këngë të shkëlqyer në garë, ndaj atyre duhet t’u jepet mundësia ta organizojnë Eurovision”, tha Johnson për një emision radiofonik.

Ndër të tjera, ai shtoi se eventi pritet të mbahet majin tjetër dhe deri atëherë, gjërat do të jenë në rregull, sa i përket situatës së luftës në Ukrainë.

Frika më e madhe e grupit organizator të festivalit është pikërisht ai i përshkallëzimit të luftës, gjë e cila do ta bënte të pamundur zhvillimin e tre netëve të koncertit në Ukrainë.

Pakënaqësi ka pasur edhe nga autoritet ukrainase, sipas të cilave disa qytete dhe vendodhje shumë të sigurta janë vendosur në dispozicion për të zhvilluar Eurovisionin e ardhshëm.

Kjo nuk i ka lëkundur organizatorët, duke marrë vendimin që shansi duhet t’i jepet Britanisë së Madhe, me përjashtimin e Ukrainës nga vendi pritës.

Në lojë është edhe Brukseli, si kryeqendër e Bashkimit Evropian dhe një qyteti “më neutral” në këtë çështje. /Albanianpost.com

Read Previous

Marrëveshja për Energjinë me Serbinë për katër komunat në veri, java e ardhshme është vendimtare

Read Next

Kaos me valixhet, çfarë ndodhi në aeroportin Heathrow të Londrës?