Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u bëri apel votuesve që të mos përkrahin parti më të vogla djathtiste që mund të mos e kalojnë pragun zgjedhor prej 3,25 për qind në zgjedhjet e 27 tetorit, duke paralajmëruar se një gjë e tillë mund t’i shkatërrojë gjasat e koalicionit të tanishëm që ta ruajë pushtetin dhe mund të çojë në zgjedhjen e një “regjimi fashist”.
“Këto zgjedhje do të vendosen nga secila votë. Mos e çoni dëm votën tuaj në parti të vogla që mund të mos e kalojnë pragun dhe ta sjellin të majtën në pushtet. Mos çoni vota dëm. Mbajeni të djathtën. Votoni për Likudin” – tha Netanyahu në një postim në rrjete sociale.
Kryeministri izraelit nuk po del mirë në sondazhe para zgjedhjeve të vjeshtës, por opozita në përgjithësi nuk po e merr shumicën me 61 ulëse në Kuvendin me 120 anëtarë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Netanyahu argumentoi se zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1992 janë dëshmi se vota për parti më të vogla djathtiste ishte gabim, pasi blloku i drejtuar nga Yitzhak Rabin kishte shënuar fitore vendimtare.
Sipas tij, nëse partitë që e kundërshtojnë sot pushtetin e tij fitojnë në zgjedhjet e 27 tetorit, ato “menjëherë do të dorëzohen, do ta shesin shtetin.”
“Do të jetë një regjim fashist” që do ta drejtojë Izraelin, duke e parandaluar lirinë e shprehjes, përfshirë mbylljen e internetit dhe kanalin Channel 14, parashikoi ai. Ky medium ka qëndrime pro Netanyahut.