Ja se kur do të mbahet konferenca përgatitore për gjykimin e Pjetër Shalës

Trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ka marrë vendim, me anë të së cilit ka caktuar konferencën përgatitore për gjykimin, në seancë të hapur, nga data 18 deri më 20 tetor 2022 në prani të ZPS-së, mbrojtjes, mbrojtësit të viktimave dhe Zyrës Administrative (Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve-ZMMD).

Ndërsa, 21 tetorin e ka caktuar si ditë rezervë.

“Trupi Gjykues gjithashtu vendosi që në të njëjtat data të caktojë një Konferencë tjetër përgatitore për gjykimin, e cila do të mbahet ex-parte dhe në seancë të mbyllur, sapo të përfundojnë seancat e hapura. Kjo konferencë përgatitore për gjykimin do të mbahet në prani të ZPS-së, ZMMD-së dhe një përfaqësuesi të Zyrës Administrative”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Read Previous

Jasharaj – Qeverisë për paga: Ju presim deri më 5 tetor, situata mund të përkeqësohet

Read Next

​Policia apelon për kujdes të shtuar në komunikacion