Ish-diplomati britanik: Perëndimi ka faj pse çështja e Kosovës s’u zgjidh paqësisht, mund ta kryenim në Dejton

Ivor Roberts ish-ambasador i Britanisë së Madhe në ish-Jugosllavi në vitet e 90-ta dhe autor i librit “Biseda me Millosheviç-in”, në një intervistë për Demostat.rs ka thënë se të gjithë janë fajtor që nuk kishte zgjidhje paqësore për çështjen e Kosovës.

“Në Kosovë kishte një problem që duhej zgjidhur dhe të gjithë ne duhet të ndajmë një pjesë të fajit për faktin se nuk kishte zgjidhje paqësore”, tha ai.

Madje sipas tij, “nëse kolektivisht do t’i kishim parashikuar gjërat më mirë, atëherë Kosova do të kishte qenë pjesë e bisedimeve të paqes të Dejtonit dhe ndoshta do të ishte arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

Prandaj, Roberts ka insistuar që lufta nuk është një zgjidhje e mirë për problemet ndërkombëtare, derisa ka shtuar se ish-presidenti i Serbisë, Slobodan Milosheviç, nuk ishte i gatshëm politikisht që të dilte vullnetarisht për ta vënë Kosovën në tryezë.

“Edhe pasi u largova nga posti i ambasadorit, u ktheva dy herë në vitin 1998 si i dërguar sekret i ministrit të Jashtëm britanik te Millosheviç-it, për ta inkurajuar atë të ndjekë rrugën e paqes”, ka treguar diplomati britanik.

Ai ka folur edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, derisa është shprehur i bindur që minoriteti serb “do të fitojë autonomi” dhe kjo do të jetë pjesë e kompromiseve të dhimbshme që do të duhet të bëjë lidershipi i Kosovës.

Duke folur për akuzat e kryetares së Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alicia Cairns, për kontrabandën e armëve në Kosovë, Roberts thekson se deputetët e Britanisë së Madhe apo të vendeve të tjera nuk duhet ta përkeqësojnë situatën.

“Ballkani në tërësi është një zonë pjellore për teori konspirative, lajme të rreme dhe dezinformata. Siç kam shkruar kohët e fundit, nuk mendoj se parlamentarët në Mbretërinë e Bashkuar apo gjetkë duhet të përfshihen në përkeqësimin e situatës dhe parandalimin e një marrëveshjeje duke përhapur informacione të rreme”, shtoi ai. /Albanianpost.com

Read Previous

Çmimet e derivateve në Kosovë, naftëtarët thonë se ka trend të rënies

Read Next

Fenerbahce dëshiron transferimin e Aro Muric