Irani thotë se për t’u zbatuar marrëveshja me SHBA-në, lufta në Liban duhet të përfundojë

Marrëveshja e paqes mes SHBA-së dhe Iranit nuk mund të zbatohet nëse lufta në Liban nuk përfundon, ka deklaruar Seyed Mehdi Tabatabaie, zëvendësshef i Komunikimit dhe Informimit në Zyrën e presidentit të Iranit.

“Vazhdimi i krimeve të regjimit sionist në Liban do të çojë në pavlefshmërinë e të gjithë marrëveshjes,” ka shkruar ai në platformën X, përpara bisedimeve të së dielës në Zvicër.

Irani do të ngrejë çështjen e shkeljeve të marrëveshjes fillestare të paqes mes SHBA-së dhe Iranit në takimin e kësaj pasditeje, ka thënë negociatori kryesor iranian, Mohammad Bagher Baghaei, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Fars.

Një zëdhënës i ekipit negociator iranian ka thënë ndërkaq se plani i delegacionit iranian është që bisedimet të vazhdojnë deri mbrëmjen e së dielës dhe se nuk ka gjasa që ato të zgjasin më shumë.

Ndërkohë, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka thënë se ish-udhhëheqësi Suprem i Iranit e kishte bërë të qartë se Teherani nuk dëshironte të zotëronte armë bërthamore, duke iu referuar kërkesave të SHBA-së që Irani të mos pajisej me një të tillë.

“E vetmja pikë për Amerikën është që ne të mos kemi një bombë atomike. Kjo është diçka që edhe lideri i martirizuar e ka thënë vazhdimisht: ne nuk duam një bombë atomike. Amerika tha ta shkruajmë këtë dhe ta nënshkruajmë, dhe ne e nënshkruam”, ka thënë Pezeshkian./koha.net

Read Previous

Topi i Kupës së Botës 2026 shkon në hapësirë, ndërsa NASA studion futbollin në zero gravitet

Read Next

Në vitin 1966 trofeu i Kupës së Botës u vodh dhe u gjet pas 7 ditësh