Inspektorati i Punës kryen 31 kontrolle në 48 orë, ndalon punimet në 13 raste

Inspektorati Qendror i Punës ka kryer 31 inspektime gjatë 48 orëve të fundit në vende pune në Kosovë, kryesisht në sektorë me rrezikshmëri të lartë.

Sipas njoftimit zyrtar, nga këto kontrolle janë shqiptuar 13 masa për ndalim të punimeve, janë lëshuar 12 leje për vazhdim të punës, ndërsa janë evidentuar 10 vërejtje.

Vetëm në 12 raste nuk janë konstatuar parregullsi.

Inspektimet janë zhvilluar në disa qytete të vendit. Sipas raportit, 10 kontrolle janë kryer në Gjakovë, 7 inspektime në Mitrovicë 6 inspektime në Podujevë.

Sipas raportit, numri më i madh i ndalimeve është evidentuar në Mitrovicë, pasuar nga Podujeva dhe Gjakovë.

Aksioni i inspektimeve ka nisur të enjten nga Ministria e Punës në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës, me qëllim të kontrollit të nivelit të sigurisë dhe shëndetit në vendet e punës.

Brenda katër muajve, në Kosovë kanë humbur jetën 9 punëtorë gjatë kryerjes së detyrave të tyre në vendin e punës.

Së fundmi një person ka humbur jetën të mërkurën në vendin e punës në Gjakovë.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në rrugën “Pjetër Bogdani”, ku dyshohet se një 29-vjeçar ka rënë nga lartësia e një objekti që ishte në ndërtim e sipër.

Policia ka njoftuar se rreth orës 17:00 është pranuar informacioni për rastin.

“Rreth orës 17:00, Policia është njoftuar se një person mashkull, i moshës madhore, ka rënë nga një ndërtesë e lartë gjatë kohës sa ishte duke punuar në rrugën ‘Pjetër Bogdani’ në Gjakovë”, u tha nga Policia e Kosovës. /Albanianpost.com

Read Previous

Nafta 1.63 € e benzina 1.40 €, publikohen çmimet e derivateve për sot

Read Next

​Shqipëri: S’ka më pagesa me para “cash” në turizëm pas 30 majit