Inflacioni bazë mbetet i qëndrueshëm në Shqipëri

Banka e Shqipërisë ka bërë me dije se inflacioni vjetor bazë ka qenë i qëndrueshëm edhe gjatë muajit shkurt në Shqipëri, duke lëshuar kështu sinjale pozitive për stabilizimin e çmimeve në ekonominë e vendit.

Sipas të dhënave të institucionit më të lartë financiar, inflacioni bazë në shkurt qëndroi në nivele thuajse të njëjta, me një rritje vetëm me 0.01%, nga 2.90 që ishte në janar në 2.91.

Rritja mujore e indeksit të inflacionit bazë ndërkaq u ngadalësua në 0.22%, nga 0.27% që kishte qenë për muajin janar.

Sipas Institutit të Statistikave ndërkohë, në muajin shkurt inflacioni u ndal në 2.6%, duke zbritur kështu për herë të parë në më shumë se dy vjet poshtë objektivit të Bashkës së Shqipërisë.

Ecuria e tillë e inflacionit është edhe një tregues se Banka e Shqipërisë ka pasur një qëndrim të duhur për këtë çështje dhe ka arritur ta ulë inflacionin drejt objektivave bazë, edhe pse në Evropë vijon që të jetë i lartë inflacioni.

Banka e Shqipërisë ka argumentuar gjithashtu se mbiçmimi i Lekut në kursin e këmbimit dhe politika fiskale konsoliduese që ka ndjekur qeveria shqiptare ka bërë që një shtrëngim I mëtejshëm monetar të mos jetë i nevojshëm deri tani.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë e mbajti normën bazë të interesit sërish në nivelin 3.25%.

Për analistët në fushën e financave megjithatë, nuk është e thënë se lufta ndaj inflacionit në rritje është krejtësisht e fituar.

Ajo çfarë mbetet për t’u pritur, janë sinjalet që do të jepen gjatë marsit, për të marrë një pasqyrë edhe më konkrete të gjithë asaj çfarë po ndodh me inflacionin në vend dhe stabilizimin e tij.

Banka e Shqipërisë, në projeksionet e saj të fundit, parashikon që kthimi i qëndrueshëm i inflacionit në objektiv pritet të ndodhë në gjysmën e dytë të vitit 2024, ndërsa analistët e Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë parashikuar që kjo të ndodhë vetëm në fillim të vitit 2025. /Albanianpost.com

Read Previous

Luis Enrique: Dua që Arsenali të fitojë titullin e Ligës Premier

Read Next

Arrestohen pesë persona, u zunë duke prerë dru në mal