IKD-ja pret që Gjykata Supreme ta rrëzojë tarifën 3-euroshe për shoqëruesit e pacientëve

Arrita Rezniqi, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se presin që Gjykata Supreme ta pranojë ankesën e tyre dhe ta shfuqizojë dispozitën e Udhëzimit Administrativ që parasheh tarifën prej 3-eurosh për shoqëruesit e pacientëve, duke vlerësuar se kjo masë nuk ka bazë të qartë ligjore.

Rezniqi ka deklaruar se gjatë kësaj jave kanë marrë informacione se taksa ka nisur të zbatohet në praktikë. Por nuk e ka dërguar menjëherë në gjykatë pasi kanë pritur reflektim institucional.

“Kemi pritur reflektim, por më shumë i është dhënë arsyetim kësaj takse. Mbi këtë situatë kemi parë një mënyrë si të reagojmë drejtpërdrejt dhe t’u përgjigjemi ankesave të qytetarëve”, ka thënë ajo në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas IKD-së, në mungesë të një dispozite të qartë në Ligjin për Shëndetësinë që e njeh qëndrimin e shoqëruesit si shërbim shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë nuk ka bazë ligjore për ta kualifikuar atë si objekt bashkëpagese përmes një akti nënligjor.

“Nuk kemi një dispozitë të qartë ligjore që e njeh qëndrimin e shoqëruesit si shërbim shëndetësor. Në këtë frymë kemi argumentuar se është tejkaluar autorizimi që jep Ligji, pra Ministria e ka zgjeruar konceptin e shërbimit shëndetësor përtej asaj që përcaktohet shprehimisht në Ligjin për Shëndetësinë. Udhëzimi administrativ nuk është në përputhje me Ligjin dhe i ka tejkaluar kufijtë e parashikuar. Mungon baza materiale dhe lidhja e nevojshme juridike”, ka theksuar Rezniqi.

Ajo ka bërë të ditur se IKD-ja ka kërkuar nga Supremja shfuqizimin vetëm të këtyre dispozitave specifike që lidhen me tarifën për shoqëruesit.

Sipas saj, është fakt i njohur se prania e shoqëruesit për shumë pacientë është e domosdoshme, qoftë për ushqyerje apo mobilitet, dhe se kjo situatë kërkon adresim edhe nga ministri i Shëndetësisë.

“Të paktën kemi pritur komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët”, ka shtuar ajo. /Koha.net/

Read Previous

Rrezik për zgjedhje të reja në Kosovë?

Read Next

Arsenal – Chelsea, derbi i kësaj jave në Premier Ligën angleze