Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Raporti i fundit i Human Rights Watch mbi azilkërkuesit dhe migrantët ka sjellë disa të dhëna për lëvizjet migratore në Kosovë gjatë periudhës janar–gusht 2025.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka regjistruar gjithsej 184 raste të kthimit të fëmijëve në Kosovë gjatë kësaj periudhe, por nuk janë dhënë shifra për numrin e të rriturve të kthyer gjatë së njëjtës periudhë, ka raportuar Human Rights Watch.
E gjatë së njëjtës periudhë raportuese, autoritetet kosovare kanë regjistruar 39 kthime vullnetare në vend, ndërsa numri i aplikimeve për azil ka arritur në 107 – në bazë të raportit, shumica e këtyre aplikimeve për azil janë bërë nga shtetas të Sirisë.
Human Rights Watch përmend edhe mungesën e informacionit rreth pranimit të deri 50 shtetasve të vendeve të treta në vit, të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.
Kosova ka një qendër të dedikuar për mbajtjen e të huajve, e cila ka kapacitet për qindra njerëz. Kjo qendër është në Vranidoll, në veri të Prishtinës, dhe është pjesë e një kompleksi më të madh që përfshin edhe Qendrën e Pritjes për Strehim të Përkohshëm.
Ndryshe, mungesa e fuqisë punëtore e shkaktuar nga migrimi masiv ka rritur kërkesën për punëtorë të huaj, veçanërisht në sektorin e ndërtimit. Kosova shërben gjithashtu si tranzit për migrantët që synojnë të arrijnë territorin e Bashkimit Evropian. /Albanianpost.com