Hovenier: Marrëveshja për targat avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për targat.

Hovenier thotë se marrëveshja rrit sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vlerësojmë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi në këtë marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja rrit sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve” ka shkruar Hovenier në Twitter.

jeff

Lidhur me marrëveshjen ka reaguar dhe zëdhënësi i Departmentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, i cili ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa bëjnë thirrje që palët të përqendrohen tutje në normalizimin e marrëdhënieve.

Në reagim po ashtu theksohet se Washingtoni mirëpret vendimin e palëve për të vënë interesat e të gjithë njerëzve në plan të parë, ndërsa u kërkohet që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre.

Po ashtu, edhe Derek Chollet, këshilltari special i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka telefonuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka falënderuar për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge drejt shtensionimit të situatës.

Ndryshe, kryediplomati evropian, Josep Borell, mbrëmë ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Borell njoftoi se tash e tutje në Bruksel do të ketë bisedime për normalizim marrëdhëniesh dhe nëse njëra palë bllokon BE do ta ndërprejë procesin.

Po ashtu në deklaratën e Borell u tha që palët e kuptojnë se duhen implementuar marrëveshjet në Bruksel, një referencë kjo për Asociacionin, për të cilën Kurti ka hapur rrugë që Serbia ta trajtojë si çështje në kuadër të propozimit franko- gjerman.

Kujtojmë që takimi në Bruksel u zhvillua vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Vazhdon të reduktohet sipërfaqja e përmbytur në Shkodër

Read Next

Ambasadori gjerman në Kosovë e quan lajm të mirë arritjen e marrëveshjes për targat