AI hyn fuqishëm në Hollywood, Netflix e përdor në qindra filma
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në pesë vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, ka deklaruar se ajo përbënte një mundësi unike për Kosovën, duke ofruar potencial për forcim të partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe vendosjen e Kosovës në qendër të zhvillimeve ekonomike rajonale përmes projekteve madhore infrastrukturore.
“Për fatin e keq të Kosovës dhe të secilit qytetar, marrëveshja u neglizhua nga institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet e vitit 2021. Kur u nënshkrua kjo marrëveshje, u kritikua ashpër nga opozita e atëhershme. Sot, pas pesë vitesh, të gjithë pa përjashtim janë të bindur për rëndësinë e saj strategjike, përfshirë ata që e cilësonin si tradhti kombëtare”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në “Facebook” të enjten.
Hoti ka kujtuar se gjatë periudhës së qeverisë së tij (shtator 2020 – mars 2021) janë realizuar funksionalizimi i pikës kufitare në Merdarë, përgatitjet për njohjen reciproke të diplomave me Serbinë, finalizimi i studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, përparimi në diversifikimin e energjisë përmes projekteve të korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit” dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Nxitje të Investimeve me SHBA-të.
Gjithashtu, ai ka theksuar se gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë veprime për sigurinë e pajisjeve 5G sipas standardeve amerikane, përmirësimin e pajisjeve për sigurinë e komunikacionit ajror, promovimin e të drejtave dhe pasurive të hebrenjve, lokalizimin e personave të zhdukur dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin. /Albanianpost.com