Haxhiu: Kosovës duhet t’i hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim në BE

U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim eurodeputetin Riho Terras, raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Kosovën.

Presidenca njofton se Haxhiu në këtë takim e ka falënderuar eurodeputetin Terras për angazhimin dhe mbështetjen e tij ndaj perspektivës evropiane të Kosovës. Ajo ka theksuar se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të trajtohet pa vonesa të mëtejshme dhe se përparimi i vendit duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave.

Sipas Haxhiut, Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim.

Tutje në njoftim thuhet se Haxhiu paraqiti përparimin e Kosovës në reformat evropiane, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Bashkimit Evropian. Ajo ka vënë në pah se orientimi euroatlantik i Kosovës është i qartë, i qëndrueshëm dhe gëzon mbështetje të gjerë qytetare.

U.D. Presidentja ka folur edhe për dialogun me Serbinë, çështjet e sigurisë dhe mungesën e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë. Ajo ka theksuar se procesi evropian duhet të mbështetet në zbatimin e marrëveshjeve dhe në përgjegjësi të barabartë për të gjitha palët. /RTKLive

Read Previous

Mohamed Salah: Kemi një ekip të mirë, ky botëror ka patur mjaft surpriza

Read Next

Belgjika po shqyrton njohjen e Palestinës pas shpërbërjes së organit qeverisës të Gazës nga Hamasi