• 8 February, 2023

Haxhiu: Duhet angazhim maksimal për të çrrënjosur dhunën në baza gjinore

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë lansimit të Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës tha se duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve për ta çrrënjosur dhunën në baza gjinore.

Ajo ka thënë se ky protokoll është një nga dokumentet më të rëndësishme që është prodhuar së fundmi nga ky dikaster.

“Për fat të keq, dhuna në vitet e fundit tregon për rritje të rasteve, janë 311 raste të ekzaminuara në IML vetëm përgjatë viteve të fundit, po ashtu ka më shumë raste të fëmijëve në krahasim me të rriturit, dhe më shumë raste të grave në krahasim me burrat”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka theksuar se rastet e fundit të dhunës janë këmbanë e fuqishme dhe alarm për institucionet e Kosovës, kështu duke u bërë thirrje edhe mediave që të ruajnë konfidencialitetin e viktimave, që të mos përmendin emrat e viktimave të dhunës seksuale.

“Ju bëj thirrje që të bashkojnë të gjitha përpjekjet ndaj steriotipeve gjinore dhe të heqin dorë nga trajtimi i pandjeshëm i këtyre rasteve”, ka vijuar ajo.

Për lansimin e protokollit, ajo ka thënë se grupi punues është përpjekur maksimalisht që t’i paraqesë detyrimet dhe përgjegjësitë e institucioneve.

“Grupi punues është përpjekur të përgatisë një dokument që është i shkruar qartë, dhe qartëson synimet se ku duam të arrijmë neser dhe i paraqet të ndara kompetencat e institucioneve” gjersa ka shtuar se ajo çka i jep vlerë është llogaritja e kostove financiare dhe e kthen në një mjet të zbatueshëm. /EO/

Read Previous

Avokati Grassani: Juventus rrezikon përjashtimin nga Seria A dhe humbjen e Scudettos

Read Next

Lewandowski: Humbja ndaj Francës e pashmangshme, qëllimi ynë ishte kalimi i grupeve