Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka akuzuar opozitën për pengim të qëllimshëm të reformave në sistemin e drejtësisë gjatë viteve të fundit.
Në një postim të publikuar në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu tha se opozita ka përdorur instrumentet kushtetuese për të zvarritur proceset reformuese, në vend që të japë kontribut konstruktiv.
“Për vite me radhë, opozita ka shprehur kundërshtime të vazhdueshme ndaj reformave të thella në sistemin e drejtësisë, duke përdorur instrumentet kushtetuese për t’i zvarritur ato”, shkroi Haxhiu.
Sipas saj, këto kundërshtime janë materializuar përmes ankesave në Gjykatën Kushtetuese ndaj amendamenteve kushtetuese për procesin e vetingut, si dhe kundërshtimeve të përsëritura ndaj reformës në Këshillin Prokurorial dhe ligjit për krijimin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.
Haxhiu theksoi se, ndryshe nga opozita e sotme, edhe Vetëvendosje sa ishte në opozitë kishte kontestuar ligje në Gjykatën Kushtetuese, por vetëm në rastet që, sipas saj, cenonin interesat e vendit.
“Edhe ne gjatë kohës sa ishim në opozitë kemi kontestuar çështje në Gjykatën Kushtetuese, por gjithnjë dhe vetëm ato që janë konsideruar të dëmshme, si p.sh. Gjykata Speciale, Zajednica, Ligji për amnistimin e kriminelëve serbë, Demarkacioni me Malin e Zi e të tjera si këto”, tha ajo.
Ministrja në detyrë vlerësoi se, pavarësisht “pengesave dhe vonesave”, disa nga reformat kryesore kanë avancuar.
“Vetingu ka marrë dritën e gjelbër, reforma në Këshillin Prokurorial u jetësua dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë është në fazën përfundimtare të shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, me pritje që të miratohet”, deklaroi Haxhiu.
Ajo përfundoi duke thënë se rruga drejt forcimit të shtetit të së drejtës “është e pandalshme” dhe se përpjekjet për ta bllokuar atë nuk do të kenë sukses.