Universiteti i Oksfordit do të testojë një vaksinë të re kundër ebolas, sëmundjes vdekjeprurëse që po përhapet në Republikën Demokratike të Kongos.
Shkencëtarët britanikë kanë krijuar në një kohë të shkurtër, një vaksinë kundër një lloji të veçantë të virusit ebola, të quajtur bundibugyo.
Vaksina do të testohet te 50 persona të shëndetshëm në Britani të Madhe, të moshës 18 deri në 55 vjeç, për të parë nëse është e sigurt dhe nëse nxit mbrojtjen e organizmit ndaj virusit.
Për të qenë gati në rast se vaksina rezulton efektive, janë ruajtur paraprakisht rreth 620 mijë doza për përdorim të mundshëm në të ardhmen.
Ndërkohë, rreth 4 mijë doza testuese janë dërguar për studimin në Universitetin e Oksfordit.
Studiuesit po bashkëpunojnë edhe me partnerë në Ugandë, për të përgatitur teste të tjera në Afrikë, ku sëmundja ka prekur më shumë njerëz.
Vullnetarët që marrin pjesë në studim, do të ndiqen për një vit, por shkencëtarët shpresojnë të kuptojnë shpejt nëse vaksina mund të ofrojë mbrojtje të mirë.
Vaksina përdor një teknologji të ngjashme me atë të vaksinës Oxford/AstraZeneca kundër COVID-19, gjë që mundëson zhvillimin e saj, shumë më shpejt.
Prof. Teresa Lambe, drejtuesja shkencore e studimit, tha se përhapja aktuale e Ebola-s në komunitetet e prekura, tregon nevojën urgjente për vaksina dhe trajtime efektive.
Sipas organizatës ndërkombëtare “Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes ndaj Epidemive” (CEPI), epidemia e ebolas nga varianti Bundibugyo, është aktualisht e treta më e madhe në histori, ndërsa numri i të infektuarve vazhdon të rritet.
Studiuesit e cilësojnë fillimin e provave te njerëzit, si një hap të rëndësishëm për të luftuar epideminë dhe për të mbrojtur komunitetet më të rrezikuara.
Vaksina nuk është miratuar ende për përdorim të gjerë, por aktualisht, po testohet nëse është e sigurt.
Faza e parë e testimit kontrollon kryesisht sigurinë dhe reagimin e trupit ndaj vaksinës.
Nëse rezultatet janë pozitive, mund të kalojë në prova më të mëdha, përpara se të përdoret gjerësisht. /ATSH-DPA/