Gjykata Themelore në Gjakovë refuzon paraburgimin për 9 kryesuesit në Rahovec

Gjykata Themelore në Gjakovë, në seancën dëgjimore të mbajtur mbrëmë, ka nxjerrë vendim duke refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë (9) personave nga komuna e Rahovecit, për shkak të dyshimit të bazuar se, veç e veç, kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Rahovec, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe ndaj tyre ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor.

Me këtë vendim, të pandehurit do të paraqiten në stacion policor për një periudhë prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data 11 shkurt 2026 deri më 11 mars 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor.

Read Previous

BE-ja zgjat mandatin e përfaqësuesit për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen

Read Next

​Zgjedhja e presidentit, Murati: Diskutimet do të fillojnë pas përfundimit të prioriteteve të qeverisë