Gjykata e Dortmundit pezullon rregullat e reja të FIFA-s për agjentët

Gjykata e Dortmundit ka ndaluar përkohësisht FIFA-n dhe Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) të “zbatojnë” rregulloren e agjentëve të lojtarëve të miratuar në dhjetor 2022.

Sipas “Sky Sport Deutschland”, dhoma e tetë civile i dha mbrojtje ligjore urgjente kërkesave të agjentëve sportivë Ralf Bockstedte dhe Michael Frank, të cilët i konsiderojnë kufizimet sipas rregulloreve të FIFA-s si antikonkurruese.

Kërkesat për masa urgjente justifikohen me faktin se vendimet e FIFA-s dhe zbatimi i parashikuar nga Federata e Futbollit rrezikojnë seriozisht kufizimin e tregtisë ndërmjet shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE).

Rregulloret e FIFA-s nuk janë rregulla thjesht sportive dhe për këtë arsye nuk përjashtohen nga fusha e zbatimit të nenit 101 të Traktatit për Funksionimin e BE-së. Artikull i cili tashmë është përmendur disa herë edhe në lidhje me mosmarrëveshjen që po zhvillohet aktualisht për Super League-n dhe monopolin e mundshëm të UEFA-s në organizimin e garave të futbollit, i cili ka përfunduar para Gjykatës së Drejtësisë së BE-së.

Duke u rikthyer te FIFA, me rregulloret e reja, Federata Botërore e Futbollit kërkon të vendosë një licencë për agjentët dhe të vendosë një tavan maksimal komisioni të barabartë me 3% të pagës së lojtarit ose 10% të tarifës së paguar për transferimin. Rregulloret u hartuan nga FIFA për të garantuar integritetin e tregut të transferimeve dhe konkurrencës sportive.

Shpenzimet për agjentët janë kritikuar ashpër prej kohësh nga federatat. Shifrat zyrtare të FIFA-s tregojnë se gati 590 milionë euro janë paguar për shërbimet e tyre në mbarë botën vitin e kaluar. Shpenzimet u rritën me 24.3% krahasuar me një vit më parë. /Albanianpost.com

Read Previous

“Luftërat e çipave me Kinën rrezikojnë dëm të madh për teknologjinë amerikane”

Read Next

Igli Tare dhe Lazio drejt “divorcit”, kush pritet ta zëvendësojë shqiptarin